20 shtete e porositin vaksinën që e ka zbuluar Rusia

Rusia po pretendon se ka gjetur vaksinën kundër koronavirusit.

Është presidenti rus, Vladimir Putin, ai i cili ka thënë se shteti i tij e ka aprovuar vaksinën ruse kundër virusit.

Sic raporton Independent, vaksina është krijuar në institutin Gamaleya në Moskë, dhe të martën ka marrë aprovimin nga ministria ruse e Shëndetësisë.

Rusia e ka emërtuar vaksinën e parë të aprovuar, “Sputnik V” për tregjet e huaja, në referencë për satelitin e parë në botë dhe atë që Moska e sheh si sukses që është bërë shteti i parë që ka aprovuar një vaksinë ndaj koronavirusit, ka thënë një zyrtar i lartë rus raporton agjencia Reuters.

Kirill Dmitriev, kreu i fondit të pavarur shtetëror RDIF, ka thënë se Rusia ka pranuar tashmë kërkesa nga më tepër se 20 shtete në botë për 1 miliardë doza të vaksinës së sapo regjistruar për koronavirus.

Ai ka folur pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar për aprovimin e vaksinës, më pak se dy muaj pas testimit te njerëzit.