3 vendet e para të BE që hapin kufijtë

Lituania, Letonia dhe Estonia do të jenë vendet e para të Bashkimit Europian që hapin kufijtë mes tyre në kushtet e pandemisë.

Lëvizja e lirë e qytetarëve të këtyre vendeve do të nisë më 15 Maj, siç konfirmuan kryeministrat e 3 vendeve.

Ata e konsideruan këtë vendim si hapin më të madh drejt normalizimit të jetës së përditshme.

Për shtetasit nga vendet e tjera të Bashkimit Europian dhe ata nga pjesa tjetër e botës, hyrja do të jetë e kufizuar. Të gjithë ata që udhëtojnë drejt këtyre vendeve do t’i nënshtrohen izolimit 14-ditor.

Polonia dhe Finlanda parashikohet që t’i bashkohen hapësirës së përkohshme të lëvizjes së lirë me vendet baltike pak më vonë, në një datë që ende nuk është përcaktuar.

Komisioni Europian ka rekomanduar që kontrollet kufitare mes vendeve anëtare të hiqen në një mënyrë të koordinuar, në momentin që konstatohet rënie e ritmeve të përhapjes së COVID-19-ës.

Kjo është direktiva që po ndjekin edhe këto vende. Ata kanë shifra të ulëta të vdekurish, 55 në Estoni, 48 në Lituani dhe 17 në Letoni.

Australia dhe Zelanda e Re janë të tjera vende që po shqyrtojnë mundësinë për lejimin e udhëtimeve ndërshtetërore.