Antonio Cassano me mesazh për Interin: Shiteni Lautaron dhe transferoni këta dy lojtarë

Antonio Cassano i ka dhënë disa këshilla Interit në lidhje me Lautaro Martinezin.

Ish-sulmuesi italian u ka thënë Nerazzurëve që të shesin argjentinasin dhe nga parat e tij të transferojnë dy lojtarë të tjerë.

“Lautaro është shumë i fortë, por unë do ta shisja. Interi e bleu për 20 milionë euro dhe mund ta shesë tashmë për më shumë se 100 milionë”, ka thënë Cassano.

“Ose, mbase përfiton 70-80 milionë euro, plus kartonin e Arthur Melos. Po të isha unë do të vija bast për Edinson Cavanin, të cilit është gati t’i skadojë kontrata në Paris dhe për lojën e Conte do të ishte sulmuesi perfekt”.

“Përveç kësaj do të ketë para të tjera nga shitja e Icardi dhe me to do të trokisja tek Arsenali për të marrë Alexandre Lacazetten.

Lautaro do të bëhet edhe më i fortë, por unë do të thosha ishte kënaqësi që e patëm në skuadër dhe e shitëm kaq shtrenjtë”, ka shtuar më tej ai.

Lautaro kërkohet me ngulm nga Barcelona dhe në verën e ardhshme duket se do të ndodhë një gjë e tillë.