Arsene Wenger tregon si u largua Serge Gnabry nga Arsenali

Arsene Wenger ka zbuluar se ishte pikëlluar shumë kur Serge Gnabry kishte vendosur të largohej nga Arsenali në vitin 2016.

Anësori gjerman iu pat bashkuar ekipit të të rinjve të Arsenalit nga Stuttgart në vitin 2011, por kur kishte ardhur koha të luante për ekipin e parë të klubit londinez, kishte hasur në vështirësi duke i bërë vetëm 18 paraqitje.

Pasi huazimi në West Brom më 2015 ishte një dështim për të, Gnabry vendosi t’i bashkohej Werder Bremenit në vitin 2016 para se të blihej nga Bayern Munich një vit më vonë.

Dhe tani 25-vjeçari është bërë yll në ekipin e kampionit gjerman dhe të mërkurën i shënoi dy gola vendimtare në gjysmëfinale kundër Lyonit, duke e dërguar Bayernin në finale të Ligës së Kampionëve.

“Të mos e harrojmë Gnabryn, të cilin e solla nga Stuttgart në Arsenal në moshën 15-vjeçare. Por ai lëndohej shumë”, tha Wenger për beIN Sports.

“Ai është kreativ, mund të shënojë gola me të majtën dhe me të djathtën, ka fuqi, depërton mirë dhe është shumë i mençur për ta gjetur kohën e duhur për të vrapuar”, shtoi ai.

Në lidhje me largimin e tij nga Arsenali i tij, Wenger tha: “Ne kishim marrëveshje me të. E çova në huazim te West Brom dhe ai nuk e luajti asnjë ndeshje atje.

U kthye te ne dhe u lëndua. Në fund, ai deshi t’i bashkohet Bayernit dhe nuk pranoi ta zgjasë kontratën me Arsenalin. Unë u trishtova shumë.”