Austria drejt rihapjes së restoranteve dhe shkollave në 15 maj

Mediat e huaja kanë raportuar se autoritetet austriake kanë konfirmuar lehtësimin e masave dhe rihapjen e vendit më parë se çdo vend tjetër i Evropës.

Me këto lehtësime Austria do të jetë ndër vendet e para në kontinent që do të autorizojë rihapjen e restoranteve, kishave dhe disa shkollave.

Kreu i qeverisë, Sebastian Kurz, ka njoftuar se hotelet dhe restorantet do të jenë në gjendje të rihapen që nga data 15 maj, por të kufizuara deri në orën 23:00.

“Detajet e rihapjes do të bëhen publike javën e ardhshme, por ne do të duhet të respektojmë rregullat e distancimit shoqëror.

Ne po shkojmë më shpejt sesa vendet e tjera drejt diçkaje që është normaliteti i ri.”- ka thënë Kurz. Ndërsa sa u përket shkollave, është mësuar se do të rihapen gradualisht pas kësaj datës 15 maj.

Mes shumë vendeve të tjera në botë që janë goditur rëndë nga koronavirusi, Austria është ndër të vetmet që nuk ka pasur bilance të frikshme të të infektuarve apo të viktimave nga virusi. Atje regjistruar rreth 50 raste çdo ditë, jo më shumë.

Kujtojmë që edhe kryeminstri i vendit tonë, Edi Rama pas zhvillimeve në Austri tha se do të ndjek shembullin e saj, sa i përket rihapjes së vendit gradualisht.

Por teksa ka kaluar një javë nga deklarata e kryeministrit Rama se Shqipëria do të ketë një plan si të Austrisë, pritet të shihet nëse edhe në vendin tonë do të hapen restorantet dhe baret si në Austri.

Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, që Shqipëria ndjek shembullin e Austrisë por vetëm me 10 ditë diferencë, atëherë në vend shkollat dhe restorantet do të hapen pas datës 25 maj.