Bernard Challandes: Unë nuk jam Mourinho, Guardiola, apo Klopp ose Flick

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes ka bërë një reagim interesant kur është pyetur rreth vendimit të tij, pasi rinovoi kontratën me Kosovën.

Gjatë ditës së sotme, në konferencë për media Challandes nënshkroi kontratë të re dy vjeçare te Kosova.

Në prag të dy ndeshjeve të shtatorit, ndaj Moldavisë e Greqisë në Ligën e Kombeve, zvicerani e krahasoi Kosovën me një “bebe”, teksa shtoi se nuk mund ta shihte nga televizori Kosovën duke luajtur në kampionatin evropian.

Si jo rrallë herë në konferencë për media, tekniku zviceran u shfaq emocional teksa fliste për drejtimin e Kombëtares dhe gjasat për Evropian.

“Unë nuk jam Mourinho, apo Guardiola, apo Klopp ose Flick. Unë nuk jam trajner i Bayern Munichut, unë stërviti Kosovën, i di mundësitë e Kosovës, i di lojtarët dhe do të gjejmë zgjidhje”, tha ai.

“Ne kemi mundësinë të shkojmë në Evropian me Kosovën, me Kosovën ‘bebe’. Tash kemi dy ndeshje për këtë mundësi”, tha ai, kur u pyet për vendimin e vazhdimit të kontratës me “Dardanët”.