Biznesmeni e kushtëzon: Qytetari nuk pranon t’i bëhen foto, i lë ndihmat

Thonë se një njeriu po i hoqe dinjitetin, i ke hequr gjithçka. Pasi dinjiteti është i barasvlershëm me identitetin e një njeriu.

Kemi një emër dhe një mbiemër për t’u dalluar nga njëri- tjetri, sikundër kemi edhe një dinjitet që na identifikon.

Në Mat, dje dikush ka vendosur t’i japë shoqërisë shqiptare një mesazh shumë të rëndësishëm, mesazhin që dinjiteti njerëzor duhet të jetë i paprekshëm.

Elona Caslli, tregon se një biznesmen ka vendosur t’i japë qytetarit nga Mati disa ndihma. Teksa ia ka dhënë ndihmat, i ka kërkuar të bëjë foto me të.

Qytetari nga Mati e ka refuzuar këtë pjesë, duke i lënë ndihmat jashtë shtëpisë së tij dhe duke ia hequr mundësinë që ta identifikonte varfërinë me fytyrën e tij.

Ky qëndrim nuk dëshmon gjë tjetër veçse qytetari dhe identitet. Të ruash të paprekshëm dinjitetin tënd, do të thotë të ruash të paprekshme të drejtën për të thënë ‘jo’.

Dinjiteti yt, të jep të drejtën të revoltohesh, të mos jetosh i gjunjëzuar, por të jetosh i ngritur në këmbë përballë një diktati të pështirë, që përmes mëshirës kërkon të të skllavërojë dhe jo të të ndihmojë.

Bërja e fotove dhe videove në fakt është një nga gjërat më të papranueshme, fyese për qytetarët që vihen në siklet për ta të marrë ndonjë ndihmë, por edhe dukshëm promovim, nga disa zyrtarë, sidomos nga bashkia Tiranë dhe kryetari i saj, Erion Veliaj.

Ky i fundit, pa pushim dërgon në media pamje të njerëzve që marrin qese me ndihma.

Disa qytetarë shprehen se vihen në siklet kur përballen me imponimin e zyrtarëve për ti filmuar ose fotografuar teksa marrin ndonjë qese ndihma.

Ata pohojnë se është e rëndë për ta që një i afërm apo dikush që i njeh të shohë pamje të tilla.

Gjykojmë se nëse bashkia apo çdo institucion, biznesmen, individ që dëshiron të ndihmojë dikë, mund ta bëjë pa i përdorur nevojtarët për publicitet.