Bota i del në mbrojtje djaloshit që qante pas ngacmimeve në shkollë

Njerëz në gjithë botën janë vënë në mbrojtje të një djaloshi nëntëvjeçar nga Australia pasi një video në të cilën ai shihej i mërzitur nga b’ullizmi u bë virale.

Yarraka Bayle postoi një klip të djalit të saj, Quaden, teksa qante pasi ngacmohej në shkollë për shkak se është shkurtabiq.“Kjo është ajo që bën b’ullizmi”, thotë ajo në video, në të cilën djali i saj thotë se dëshiron t’i japë fund jetës së vet.

Klipi, që ka marrë më shumë se 14 milionë klikime, ka nxitur përkrahje të madhe në botë.

#StopB’ullizmit ishte një nga termet më në trend në rrjetet sociale nga përdoruesit në gjithë botën këtë javë duke i dalë në mbrojtje djaloshit nëntëvjeçar, shkruan BBC.

Yjet botërore, përfshirë aktorin Hugh Jackman dhe basketbollistin Enes Kanter, kanë reaguar për rastin, teksa prindërit në të gjitha shtetet kanë ndarë video të mesazheve nga fëmijët e tyre.

Në përkrahje të Quadenit ka dalë edhe komediani Brad Williams që ka grumbulluar 130 mijë dollarë që ta çojë familjen e tij në Disneyland.

Eric Trump, djali i presidentit amerikan, ka përshkruar videon si “absolutisht zemërthyese”. Basketbollisti Kanter ka shkruar se “bota është pas teje” dhe e ka ftuar familjen në një ndeshje në NBA.

“Je më i fortë se që ti mendon, shok”, ka thënë Jackman, teksa ka kërkuar nga të gjithë të jenë të sjellshëm.

Në videon gjashtëminutëshe të postuar të martën, e ëma e Quadenit ka përshkruar b’ullizmin me të cilin përballet djali i saj për ditë.

Familja jeton në Queensland të Australisë.“Sapo kam marrë djalin nga shkolla, kam parë një episod b’ullizmi, kontaktova drejtorin dhe dua që njerëzit të dinë – prindërit, edukatorët e mësuesit – ky është efekti që ka b’ullizmi.

Për ditë, diçka ndodh. Tjetër episod, tjetër b’ullizëm, tjetër ngacmim, tjetër nofkë. A mund t’i edukoni ju lutem fëmijët tuaj, familjet, miqtë?” ka thënë ajo.