Bujku: Rrezikojm shuarjen shkaku i koronavirusit, shteti as për njerëz nuk na llogarit (Video)

Tash e më shumë se 50 vjet, familja Hoti kultivon kultura të ndryshme bujqësore. Për këto pesë dekada, kjo familje nga Krusha e Madhe e Rahovecit asnjëherë si sot nuk ka pasur vështirësi më të mëdha për të mbijetuar si fermerë.

Muharrem Hoti, së bashku me familjarë të tij kanë më shumë se 20 hektarë tokë që kanë punuar këtë pranverë. Në kohën kur filluan që disa nga kultivimet të dalin në shitje, vendin e ka bllokuar situata pandemike.

55 vjeçari tregon se ndodhen në situatë jo të mirë dhe se vështirë do të mbijetojnë.

“Jemi dëmtuar shumë, sepse sallatat që e kanë pasur kohën tash të shiten nuk po shiten. Tash duke e përgatitur tokën, po kemi problem me punëtorë, shumë. Verës nëse nuk mundemi me shit prodhimin, jemi shumë keq”, thekson ai.

Kjo gjendje atij po ia bënë të vështirë që ta shlyej një borxh ndaj bankës.

” Është dashur të hyjmë në kredi, problemi është që tani duhet të fillojmë të paguajmë kredinë, nëse nuk shitet bereqeti që kemi punuar, për neve do të jetë shumë zor me jetu…

Që 50 vjet unë punojë, babë e babëgjysh gjithmonë me bujqësi, por këtë vit zor me i dal në fund. Shumë shpenzime të mëdha, të ardhura të vogla. Deri sot shteti nuk ka ndihmuar, shumë pak”, shton ai.

Ndër të tjera, ai është shumë i zhgënjyer me trajtimin që deri tani kanë pasur nga Ministria e Bujqësisë.

” Një herë kam qenë aty në Prishtinë në zyre, ku është bujqësia. Një ndërtesë, shtatë katëshe… edhe aty gjynah për neve, as nuk na llogaritshin për njerëz, jo për bujq, por për njerëz nuk po të llogaritshin me shku aty”, thekson ai.

Marrë parasysh këtë gjendje, Hoti derisa flet për humbjet e mëdha që do i përjetojnë, thotë se nuk ka pasur mundësi që t’i paguajë punëtorët.

Ai për këtë ka kërkesë edhe për Qeverinë e Kosovës.

” Prej qeverisë me na ndihmu me naftë, me plehra, se deri sot nuk ka ndihmuar asgjë shtetit. Do të ishte mirë edhe punëtorët që kemi me na pagu, për një muaj, ose dy. Ne nuk kemi mundësi, ata te shkretit nuk do të kenë mundësi me u pagu”, thotë ai.