Devollët depërtojnë edhe në futboll, fitojn tenderin nga Federata e Futbollit e Kosovës

Devollët nuk humbasin dot në tenderët që ua mësyjnë. Madje, ata tashmë kanë arritur të depërtojnë edhe në futbollin kosovar, ku dyert iu hapën nga vet Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Artmotion, që është në pronësi të Devollëve, tashmë i ka fituar të drejtat televizive për transmetimin e Superligës së Kosovës në futboll për edicionin e ri, i cili do të fillojë më 12 shtator.

Një komision i FFK-së që është marrë me procesin e shitblerjes së drejtave televizive tashmë i ka kryer punët dhe e ka përgatit një raport, përmes të cilit e rekomandon Komitetin Ekzekutiv të FFK-së që “Artmotion” të shpallet fitues.  

Mirëpo, qysh herët ka pasur dyshime në krejt këtë proces. Madje, fitorja e “Artmotion” në këtë tender përflitej në futbollin kosovar qysh para hapjes së tenderit.

Po ashtu, ofertat financiare janë mbajtur të fshehta për disa ditë. Ndërsa, praktikat dhe ligjet në Kosovës i obligojnë instucionet që ofertat financiare me i çelë në prezencë të palëve. Dhe, kjo i shton dyshimet mbi korrektësinë e këtij procesi.

Konkurrues ishin tri kompani, ndërsa në garë ishte edhe “Kujtesa”. Kurse, FFK-ja ia kishte pamundësuar “Digitalbit” pjesëmarrjen në tender, me arsyetimin se ishte subjekt i jashtëm (nga Shqipëria), ndonëse qe disa vite ishte pikërisht “Digitalbi” ishte transmetues i kampionatit kosovar, i cili tashmë prodhon skuadra pjesëmarrëse për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e kishte hapur tenderin më 5 gusht. Kompanitë mediale kishin afat deri më 12 gusht të konkurronin. Por, fituesi nuk është shpallur as disa javë pas mbylljes së afatit të tenderimit.

Në FFK thonë se gjatë këtyre javëve komisioni ka negociuar detaje me ofertuesit.

Por, assesi shtëpia e futbollit nuk pranon të jap ndonjë informacion tjetër, e as rreth asaj se sa para i kanë ofruar ofertuesit apo ndonjë sqarim tjetër që ka të bëjë me procesin, i cili po shkon drejt fundit vetëm pak ditë para se të fillojë kampionati i ri, në një kohë kur fokusi i të gjithëve është tek ndeshjet e Kombëtares së Kosovës me Moldavinë dhe Greqinë në Ligën e Kombeve.

Sidoqoftë, krejt procesi është vënë në dyshim të madh. “Digitalb” ka paralajmëruar ankesë në gjykatë por edhe në UEFA.

Ndërsa, prijësit e disa klubeve para pak ditësh e ngritën zërin duke kërkuar kujdes nga FFK në këtë proces sepse nuk do ta pranojnë një fitues të kurdisur, duke potencuar se është dashtë t’u epet mundësia edhe subjekteve të jashtëm të konkurrojnë sepse duke kufizuar kompani ofertat do të jenë të paketa dhe me përmbajtje të shumave të vogla të parave.

Përvoja nga e kaluara tregon se klubet mund ta “shkatërrojnë” procesin nëse fituesi është përcaktuar para hapjes së tenderit.

Qysh në edicionin 2015-2016 të gjitha klubet ishin bashkë me FFK-në për t’ia shitur drejtat televizive “Digitalbit”. Por, vetëm FC Prishtina ishte kundër dhe e pakënaqur.

Klubi më i madh kosovar ishte ndarë prej 11 klubeve tjera që ishin me “Digitalbin”, duke ia dhënë ndeshjet e saj Radio Televizionit të Kosovës. Dhe, FFK kishte mbetur si spektatore, duke mos arritur ta bindte Prishtinën t’u bashkohet 11 klubeve tjera në “Digitalb”.