Edhe pse të mbyllur në shtëpi, shqiptarët nuk heqin dorë nga “vesi” dhe thyejnë rekordin

Shqiptarët, ashtu si gjithë shtetasit e vendeve të e tjera u përballën me një situatë të paparë ndonjëherë. Iu desh të mbylleshin në shtëpi, teksa gjithçka u mbyll, bashkë me baret dhe restorantet.

Për një vend si Shqipëria, që zë rekord për sa i përket numri të lartë të bar kafeve në raport me popullsinë, me 518 bare për 100 mijë banorë dhe ku kafeja ishte një normë sociale ndërveprimi, qëndrimi në shtëpi dhe pa kafe ishte një “torturë” e vërtetë

Fakt, të dhënat e importeve të kafesë në mars dhe prill tregojnë se shqiptarët nuk e kanë ulur aspak konsumin e kafesë, përkundrazi, në shtëpi, nuk kanë ndenjur pa konsumuar produktin e preferuar.

Të dhënat e Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se në janar-prill u importuan gjithsej rreth 2,700 ton kafe, me një rritje prej 9.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por, rekordi është shënuar në prill, kur importet e kafesë arritën në 922 ton, që është niveli më i lartë historik që është shënuar ndonjëherë.

Operatorët e tregut pohojnë se janë rritur shitjet e pajisjeve ekspres nëpër shtëpi. “Situata po zhvillon dhe përshtat nevojat e konsumatorëve, duke shijuar edhe konsumin e kafesë ekspres në komoditetin e shtëpisë”, thotë Shtrepi.