Ekspertët: Kaq para i duhen Kosovës, për të dal nga kriza e koronavirusit

Kosova duhet të aprovojë sa më shpejt pakon për rimëkëmbjen ekonomike, që mund të jetë disa qindra milionë euro, për të zvogëluar dëmet nga pandemia, kanë thënë ekonomistë të vendit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar një pako emergjente fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë euro, por si e tillë kjo pako është konsideruar më shumë sociale dhe jo pako e cila ndihmon ekonominë të kalojë krizën dhe të rimëkëmbet.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova po hyn nga një krizë ekonomike në një krizë edhe më të thellë ekonomike dhe shteti nuk po vepron në kohën dhe mënyrën e duhur.

“Është e vërtet që goditjet më të mëdha nga një situatë të tillë e ka pësuar sektori privat dhe komuniteti i biznesit.

Në këtë drejtim ne kemi thënë që sfida më e madhe e Kosovës në të ardhmen nuk do të jetë pandemia e koronavirusit, por pandemia ekonomike dhe për fat të keq pandemia politike”, thotë Gërxhaliu.

“Kryeministri ne detyrë Albin Kurti së shpejti do të formojë një ekip ku do të jenë përfaqësuesit e ministrive të linjës, përfaqësues të shoqatave ekonomike në mënyrë që të fillohet të përgatitet pakoja për rimëkëmbje ekonomike. Në rast se kjo pako përfundon shpejt, pasojat në ekonomi do të jenë më të vogla”, thotë Krasniqi.

Fondet për pakon e dytë do të merren kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare, thotë Krasniqi, por që për këtë, shton ai, duhet të tejkalohen problemet që po paraqiten në aspektin politik dhe juridik.

“Kuvendi i Kosovës duhet t’i japë mundësinë qeverisë që të hyjë në kredi”, thotë Krasniqi.

Sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë, për të marrë hua ndërkombëtare, është i domosdoshëm miratimi nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat.

OEK: Pakoja e dytë duhet të jetë 600 milionë euro

Oda Ekonomike e Kosovë (OEK), në një hulumtim të bërë vlerëson se Kosovës do t’i duheshin deri në 600 milionë euro për të zbutur dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi ka thënë se shifra deri në 600 milionë euro do të ndihmonte bizneset të dalin nga kriza ekonomike që janë futur.

“Kjo shifër mund të jetë një kontribut i duhur dhe që mund të ndikojë në rimëkëmbjen të shpejtë ekonomike.

Nëse merren masat adekuate kemi lakoren e shkronjës V që është rimëkëmbje e shpejtë, nëse nuk merren masat adekuate atëherë recesioni e merr shkronjën U dhe kohëzgjatja e rimëkëmbjes është shumë më e gjatë në aspektin kohor”, thotë Rukiqi.