Eksperti i futbollit spanjoll: Messi do ti bashkohet një ekipi, që është në gjendje ta fitojë Ligën e Kampionëve

Lionel Messi nuk nxitet nga paratë dhe do ta mendojë largimin nga Barcelona vetëm për t’iu bashkuar një ekipi që është në gjendje ta fitojë Ligën e Kampionëve, sipas ekspertit të futbollit spanjoll, Graham Hunter.

Humbja turpëruese e Barcelonës 8:2 kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve të premten pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në klubin katalonas.

Ronald Koeman është pajtuar në parim për ta zëvendësuar Quique Setienin në rolin e trajnerit, pasi ky i fundit u shkarkuar të hënën.

Qendërmbrojtësi me ndikim në klub, Gerard Pique ka paralajmëruar se askush nuk e ka vendin e sigurt dhe se të gjithë mund të shiten, derisa data për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale është caktuar për muajin mars.

Menjëherë pas eliminimit të tmerrshëm nga Liga e Kampionëve, Marcelo Bechler tha një lajm tronditës për tifozët e Barçës, duke paralajmëruar se Messi ka vendosur t’i japë fund qëndrimit 19-vjeçar në klub dhe se do të largohet këtë verë.

Mechler ishte i pari që e dha lajmin se Neymar do t’i bashkohej PSG-së më 2017, siç edhe ndodhi më pas.

Sipas Hunter, kushdo që e dëshiron Messin duhet t’i derdhë 100 milionë euro për të.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë nuk dëshiron ta braktisë Barcelonën për para, dhe nëse do ta bënte, do ta bënte për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe jo për të ikur nga rrëmuja e shkaktuar në Camp Nou.

“Ai nuk dëshiron të largohet për më shumë para, apo thjesht për të ikur nga rrëmuja që është shkaktuar rreth tij; ai dëshiron ta fitojë Ligën e Kampionëve. Është e vështirë ta kuptosh si mund të largohet ai apo ku mund të shkojë”, thotë Hunter.

“Natyrisht se ai po pret t’i shohë zhvillimet në klub dhe nëse ato do të bëjnë dallim për ta bindur të qëndrojë dhe të fitojë në Barcelonë”, shtoi ai.