Fansat në Gjermani: Dortmundi kurdisi ndeshjen për t’ia ulur çmimin Rashicës

Tifozë në rrjetin social Twitter kanë hedhur dyshim se humbja e Borussia Dortmundit kundër Mainzit ishte e kurdisur, në mënyrë që Werder Bremeni të bjerë nga liga dhe rrjedhimisht Milot Rashicës t’i ulet çmimi.

Bayern Munich u konfirmua në mesjavë si kampioni i Bundesligës për herë të tetë radhazi, mirëpo beteja në skajin tjetër të tabelës, për mbijetesë, mbetet e zjarrtë, veçanërisht pasi fitores së Mainzit me rezultat 2:0 kundër Dortmundit.

Werder Bremeni i Milot Rashicës është ekipi i parafundit në tabelë dhe e ka vetëm një pikë më pak se Fortuna Dusseldorf, që e zë vendin e play-offs për rënie nga liga, mirëpo gjashtë më pak sesa Mainzi që radhitet në pozitën e 15-të pas fitores befasuese kundër Borussia Dortmundit të mërkurën, pasi Bayerni veçse e kishte siguruar titullin e kampionit.

Disa tifozë mbeten aq të befasuar nga kjo fitore e Mainzit dhe kanë sugjeruar online se ndeshja ishte e kurdisur, pasi që Dortmundit tashmë i ishte pamundësuar të shpallet kampion, dhe e la Mainzin të fitojë për t’i rritur gjasat që Bremeni të bjerë nga liga.

Më rënien e Bremenit nga liga, çmimi i Milot Rashicës do të përgjysmohej, shkaku i një klauzole në kontratën e tij, përderisa për transferimin e tij janë interesuar shumë klube, në mesin e të cilave edhe Leipzigu dhe Dortmundi.

Kjo ka bërë që disa tifozë të hedhin dyshime mbi rezultatin e ndeshjes mes Dortmundit dhe Mainzit.

Bremeni do ta vizitojë Mainzin në njërën nga nëntë ndeshjet e Bundesligës që do të nisin në orën 15:30, ndërsa do ta presë Colognen për ditën e fundit të sezonit më 27 qershor.

Tifozët shpresojnë se Rashica, i cili s’ka shënuar gol që nga dhjetori, do të kthehet në formën e tij të vjetër për këto “finale