Finalja e madhe PSG – Bayern, formacionet dhe taktikat e mundshme

Bayern Munchen ka nisur nga dita e premte të mendojë vetëm për finalen e Champions-it që do të luhet sot në orën 21:00 në “Da Luz” të Lisbonës.

Do të jetë një finale në kohë pandemie, pa tifozë, por rëndësia e trofeut do të vlejë njëlloj për të dyja skuadrat. Kampionët e Gjermanisë duan me çdo kusht trofeun për të kurorëzuar një sezon thuajse perfekt.

Gjermanët pritet të bëjnë dhe disa ndryshime për sa i përket formacionit ndaj francezëve. Kështu, në portë është konfirmuar Neuer.

Në mbrojtje, Flick po mendon të bëjë disa ndryshime duke nisur nga Pavard i cili pritet të rikthehet në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në qendër, Boateng është në dyshim për shkak të një dëmtimi muskular.

Niklas Sule dhe Hernandez mund të zënë vendin e gjermanit. Alaba dhe Davies do të vazhdojnë të jenë të besuarit e trajnerit gjerman edhe në finalen e madhe.

Në mesin e fushës, Thiago mund të humbasë vendin e titullarit me rikthimin e Kimmich në atë pozicion. Goretzka dhe Muller do të jenë lojtarët e tjerë që do të plotësojnë këtë repart.

Në sulm, Lewandovski dhe Gnabry janë konfirmuar, në dyshim mbetet vetëm krahu i majtë. Perisic dhe Coman do të luftojnë për një vend titullari.

TAKTIKA – Nëse ndaj Barcelonës taktika e Flickut u zbulua nga mediat gjermane, ajo ndaj Parisit vështirë të ndodhë.

Në stërvitjen e së premtes, 55-vjeçari ka kërkuar që të mos ketë asnjë person që nuk është në listën e klubit. Frika nga një “spiunazh” është e madhe dhe në ndeshje të tilla mund të jetë një ndihmë për kundërshtarin.

Bayerni pritet të jetë më defensiv se ndeshjet e fundit, duke parë që ndaj Lyonit, presingu i lartë për pak sa nuk i kushtoi kualifikimin.

Me Pavardin në mbrojtje, skuadra do të jetë kompakte në prapavijë për të mos lejuar Mbappe dhe Neymarin t’i afrohen portës së Neuer. Flick e di që një gabim mund t’i kushtojë trofeun, një trofe që ai e do me patjetër.

Pas finales së parë historike të këtij klubi, PSG-ja do të provojë të fitojë mbrëmjen e sotme finalen kundër Bayernit për trofeun e Ligës së Kampioneve.

Trajneri Thomas Tuchel ka vazhduar stërvitjen me ekipin, por deri në momentin e fundit do të ketë dy dyshime për 11-shen titullarë.

I pari dhe më kryesori lidhet me portën, ku Keylor Navas, i dëmtuar ndaj Atalantës, do provojë deri në fund rikuperimin.

Ndërsa dyshimi tjetër është ai me fantazistin Marco Verrati. Italiani, edhe pse luajti pak minuta në fund ndaj Leipzig, duket se ka ende dhimbje në kavilje, ndaj në vend të tij është gati Paredes.

Madje, ky i fundit pritet të jetë edhe zgjedhja e parë e Tuchel, pasi argjentinasi në lojën trup më trup është fizikisht më i fortë se Verrati.

Formacionet e mundshme:

PSG (4-3-3) Navas, Kehrer, Silva, Kimpembe, Bernat, Paredes, Marquinhos, Herrera, Di Maria, Mbappe dhe Neymar.

BAYERN (4-2-3-1) Neuer, Kimmich, Boateng, Alaba, Davies, Goretzka, Alcantara, Gnabry, Muller, Perisic dhe Lewandowski.