Gjobitet 1 mijë euro e infektuara me virus, që doli për shoping

Para një jave një infermiere nga qyteti i Vushtrrisë është konfirmuar pozitive me koronavirus. IKSHPK-ja i ka rekomanduar asaj që të qëndrojë në vetizolim shtëpiak për së paku 17 ditë derisa të ritestohet për praninë e koronavirusit në trupin e saj.

Por, rekomandimet e IKSHPK-së, kjo zonjë siç duket i ka thyer 7 ditë pasi është izoluar. Ajo dje, më datë 6 korrik ka dalë në qytetin e Vushtrisë për të bërë shoping. E kjo është vërejtur nga Inspektorati i komunës së Vushtrrisë. Zonja në fjalë do të gjobitet një mijë euro nga Inspektorati i Komunës për mospërfillje të rregullave të vetizolimit në kohë pandemie.

Lajmin se kjo infermiere pozitive me virus ka dalë nga shtëpia e ka konfirmuar për Express drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Vushtrri, Rrahim Ajeti.

“Infermierja është punëtore në emergjencën e spitalit dhe ka rezultuar pozitive me koronavirus. Qe një javë është në vetizolim. Dje ka qenë në qytet, pra pas 7 ditëve”, ka thënë Ajeti.