Granit Xhaka me shokë, të parët në Premier League që pranojnë ulje pagash

Lojtarët e Arsenalit pritet të bëhen të parët në Premier League që do të merren vesh për ulje të pagave, ka shkruar BBC të premten.

Atyre u është ofruar stimulim për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Granit Xhaka, Shkodran Mustafi dhe lojtarët tjerë të Arsenalit do të pranojnë ulje të pagës prej 12.5 për qind, por do të kompensohen nëse kualifikohen në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm apo për edicionin 2021\22.

Sipas BBC-së, lojtarët e Arsenalit do të kenë bonus prej 100 mijë funtesh nëse sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në vitin e ardhshëm.

Lojtarëve të Arsenalit u janë premtuar nga 500 mijë funte nëse fitojnë Championsin në vitin 2021 dhe nga 100 mijë euro nëse fitojnë Ligën e Evropës.

Arsenali ishte në vendin e nëntë kur Premier League u ndërpre për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Është tetë pikë larg pozitës që dërgonte në Champions, kur kanë mbetur edhe dhjetë xhiro.