Kina fiton betejën me koronavirusin, mbyll dy spitale, pasi nuk ka raste të reja

Teksa coronavirusi goditi Wuhanin në fund të dhjetorit të vitit 2019, Kina ndërtoi 14 spitale të improvizuara në kohë rekord për të trajtuar pacientët e shumtë të infektuar.

Pas më shumë se 2 muajsh situata po stabilizohet, me rënien e numrit të të infektuarve për ditë, dy spitalet e fundit në provincën Hubei janë vendosur të mbyllen, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Xinhua.

Të 14 spitalet u ndërtuan posaçërisht për t’u marrë me shpërthimin e coronavirusit dhe kryesisht trajtoheshin pacientë me simptoma të buta. Përgjatë janarit dhe shkurtit, zyrtarët lokalë të shëndetit shndërruan objektet publike, siç janë stadiumet sportive dhe sallat e ekspozitës në spitale.

”Tashmë këto vende po mbyllen pasi numri i pacientëve Covid-19 vazhdoi të bjerë në qytet,” njoftoi Xinhua.

Sot kishte vetëm 19 raste të reja të raportuara në territorin e Kinës, 17 prej tyre ishin në Wuhan dhe 2 të tjera të importuara nga jashtë. Sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit, gjithsej 59,897 pacientë janë shëruar në të gjithë vendin.