Klubet e Superligës i drejtohen FFK-së: Na jepni paratë që i dergoj UEFA ose…

Drejtuesit e gjashtë skuadrave të Superligës së Kosovës në futboll, Ballkanit, Prishtinës, Llapit, Drenicës, Trepçës ’89 dhe Ferizajt, të enjten në mesditë, janë takuar me sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, në zyrat e FFK-së.

Gjysma e skuadrave të Superligës kanë pasur një kërkesë për kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, në të kundërtën do të tërhiqen nga garat.

Trajneri i Llapit, që njëherësh është edhe donator në klub, Tahir Batatina, ka thënë për KOHËN se takimi ka ndodhur për arsye se klubet po i kërkojnë mjetet financiare që janë ndarë nga UEFA.

Dhe, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, sipas Batatinës, atëherë do t’i dorëzojnë librezat e klubeve në federatë.

“Kemi qenë në zyrat e FFK-së dhe jemi takuar me sekretarin Salihu. Kemi biseduar gati tri orë dhe ia kemi bërë të qartë, që mjetet financiare të UEFA-s, 4.3 milionë eurot, duhet t’u ndahen klubeve.

Salihu na tha se kryetari Agim Ademi i ka thënë atij se mjetet nuk janë për klube, por janë për administratë. Ne ishim të gatshëm t’i dorëzonim librezat në FFK dhe le të merren ata me kampionat dhe gjëra të tjera.

Do ta kemi edhe një takim të hënën dhe nëse nuk na jepen mjetet që na takojnë, ne nuk do ta vazhdojmë kampionatin në asnjë formë”, ka thënë Batatina.

Ai tregon se në FFK ishte i pranishëm edhe me pesë përfaqësues të tjerë të klubeve të elitës.

“Në takim kemi qenë gjashtë klube. Unë si përfaqësues i Llapit, kryetari i Trepçës ’89 Abedin Zeka, nga Ballkani ishte kryetari Arsim Kabashi, Ismet Begolli i Prishtinës, Mihane Kodra – Bekteshi kryetarja e Drenicës dhe përfaqësuesi i Ferizajt, Arian Imeri.

Po ashtu, me ne janë edhe Feronikeli e Vushtrria, por që nuk kishin mundësi të jenë prezentë”, theksoi trajneri i Llapit, i cili shtoi se kanë pasur edhe një kërkesë tjetër. “Ndër kërkesat tona ka qenë edhe vazhdimi i kampionatit, por duke respektuar vendimet e organeve shtetërore. Pra, të vazhdohet, por jo të rrezikohet shëndeti i lojtarëve”…