Lionel Messi kritikon ashpër Barcelonën: Nëse vazhdojm kështu do eliminohemi edhe nga Champions League

Lionel Messi ishte i zhgënjyer pas disfatës së Barcelonës kundër Osasunës dhe tha se nëse skuadra s’luan më mirë sesa që ka bërë deri më tani, Napoli do t’i eliminojë nga Liga e Kampionëve.

Barcelona e pësoi disfatën e gjashtë të këtij sezoni të La Ligës të enjten në mbrëmje, ndërsa Real Madridi e mori fitoren që i nevojitej për ta siguruar titullin e parë të La Ligës që nga sezoni 2016/17.

Djemtë e Quique Setien pësuan disfatë me rezultat 2:1 kundër Osasunës në Camp Nou, falë golave të shënuar Jose Arnaiz dhe Roberto Torres, të cilat e zhvleftësuan golin e Messit nga gjuajtja e lirë.

Rezultati e lë Barcelonën shtatë pikë prapa Real Madridit, që mposhti me rezultat 2:1 Villarrealin në Santiago Bernabeu për ta siguruar titullin e 34-t në histori të vet si kampion i Spanjës. Ky triumf i madrilenëve e la të zhgënjyer dhe zemëruar Messin.

“Ne nuk donim që sezoni të përfundonte kështu, por kjo e përfaqëson mënyrën se si na ka shkuar i gjithë sezoni. Ishim një skuadër e hallakatur, shumë e dobët dhe me intensitet të ulët. Kemi humbur shumë pikë dhe ndeshja e sotshme e tregon rrjedhën e sezonit”, ka thënë Messi.

“Ne duhet të jemi vetëkritikë. Duke filluar nga lojtarët dhe duke e bërë një vetëkritikë globale. Ne jemi Barcelona dhe duhet të fitojmë gjithçka. Nuk mund ta shikojmë Real Madridin. Real Madridi e ka punën e vet, por ne i ndihmuam”.

“Nëse duam të fitojmë Ligën e Kampionëve, duhet të ndryshojmë shumë. Nëse vazhdojmë kështu, ne do ta humbim ndeshjen kundër Napolit. Duhet të ndryshojmë shumë gjëra. Mendoj se tani do ta kemi një pushim dhe kjo do të na ndihmojë ta qartësojmë mendjen”.

“Periudha nga janari e deri tani ka qenë e tmerrshme për të gjithë. Mendoj se kanë i kemi edhe katër ndeshje në Ligën e Kampionëve në të cilat mund ta ndërrojmë historinë e këtij sezoni, nëse i marrim rezultatet e duhura”.

“Mendoj se njerëzit në klub do të jenë të zemëruar për atë që ka ndodhur këtë sezon, por kjo është normale, lojtarët ndihen kështu gjithashtu. Mendoj se është njëjtë si humbjet kundër Romës dhe Liverpoolit, askush s’është i lumtur kur nuk fiton asgjë”.