”Me rifillimin e futbollit do të ngritet morali te njerëzit”

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, konsideron se pandemia e ka shndërruar vitin 2020 në një vit shumë të vështirë për futbollin.

“Ky vit na vuri përballë një gjendje të pazakontë dhe të vështirë, jo vetëm neve si komunitet i futbollit, por në përgjithësi globin.

Pandemia ka bërë që futbolli të ndërpritet po thuajse në tërë botën për më shumë se dy muaj dhe primar të jetë shëndeti i popullatës”, ka deklaruar Ademi, i cili e konfirmon edhe krizën ekonomike të shkaktuar në futboll nga koronavirusi.

FFK ka kohë deri më 25 maj ta njoftojë UEFA-n nëse do ta vazhdojë apo do ta anulojë edicionin që ka mbetur në gjysmë. FFK ka afat deri më 20 korrik që ta mbyll këtë stinor.

IPKO Superliga i ka edhe 11 xhiro deri në fund, ndërsa lufta për titull të kampionit ishte duke u zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme në mes katër klubeve. Po ashtu lufta për mbijetesë ishte e zjarrtë. Kurse, gara e Kupës i numëron edhe tri xhiro.

Gazeta Express raporton se shtëpia e Futbollit ka kërkuar leje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës që klubet t\i nisin stërvitjet në mes të këtij muaji, kurse kampionati të rifillojë në fund të muajit.

Nëse kjo nuk ndodh atëherë nuk do të ketë shumë kohë deri te afati i 20 korrikut. Kështu që FFK do të obligohet ta zhvillojë kampionatin me një sistem të modifikuar garues apo me një orar të shkurtuar.

Ose mund ta anulojë tërësisht, gjë që nuk është aspak e mirë për futbollin sepse UEFA ka kërkuar nga shtetet e saj të mos dorëzohen por të bëjnë çmos që t’i rifillojnë garat. Këtë rekomandim të UEFA-s po përpiqen ta zbatojnë pjesa dërmuese e shteteve anëtare.

“Tani kudo po bëhen përpjekje maksimale që me rekomandimet e institucioneve shëndetësore të rikthehet futbolli, pasi ky sport shihet edhe si mënyrë e ngritjes së moralit të popullatës edhe në periudha të këtilla të vështira”, ka thënë ai.

“Shpresoj se edhe ne do ta kalojmë së shpejti këtë gjendje dhe do t’i kthehemi jetës normale, për t’i vazhduar aktivitetet dhe projektet tona të shumta, me urimin që këtë pandemi ta kalojmë me sa më pak viktima dhe të prekur”, ka potencuar ai.

Derisa Ballkani si lider insiston se nuk ka kushte për vazhdim të kampionatit dhe se duhet t’i urohet titulli menjëherë, rivalja e saj, FC Prishtina, insiston se kampionati duhet të vazhdojë dhe se FFK nuk duhet të dorëzohet me anulimin e tij.