Meçi kryesor i UFC 247 do të jetë: Ilir Latifi dhe Derrick Lewis

Ilir Latifi gjithmonë ka dashur të luftojë kundër amerikanit Derrick Lewis, dhe atij tashmë i është plotësuar dëshira, shkruajnë mediumet e huaja.

Meçi kryesor i ngjarjes “UFC 247”, që do të mbahet të dielën në Houston, do të jetë ai i peshës së rëndë ndërmjet Latifit dhe Lewisit.

Kur ishte konfirmuar meçi, shumica e adhuruesve të këtij sporti kishin qenë skeptikë për shkak se Latifi i ka humbur dy meçet e fundit dhe nuk ishte në mesin e dhjetë më të mirëve në kategorinë gjysmë të rëndë.

Ndërkohë, Lewis e ka fituar meçin e fundit dhe është në mesin e pesë më të mirëve të peshës së rëndë në UFC (Ultimate Fighting Championship), shkruan sot Koha Ditore.

Latifi thotë se nuk ka mundur ta refuzojë një përballje me Lewisin, andaj është ngjitur në një kategori më të rëndë.

“Kam menduar se do të jetë shumë interesante që të kemi një luftë në UFC ku do të përballeshin luftëtari më i gjatë me luftëtarin më të shkurtër.

Unë isha prej më të shkurtërve në kategorinë gjysmë të rëndë, kurse tani do të jem edhe më i shkurti në kategorinë e rëndë, por nuk e kam problem të ndeshem me kundërshtarë të mëdhenj.

Kështu që, me padurim pres luftën me Derrickun”, ka deklaruar Latifi për “The Athletic”.

“Derricku është një kundërshtar shumë i fortë dhe gjithmonë kam dashur të përballem me të. Unë kurrë nuk ik nga meçet e forta, gjithmonë kam luftuar kundër më të mirëve”.

Latifi thotë se nuk e kishte të lehtë të kalojë në peshën e rëndë, por ai është i vendosur të japë më të mirën.

“Luftën e parë në karrierë e kam pasur në peshën e rëndë, kështu që kam dashur ta shoh veten në këtë kategori”.

Në rast të fitores, atëherë Latifi do të ishte afër futjes në mesin e dhjetë më të mirëve, ku do t’i ofrohej mundësia për të luftuar për titull. Synimi i Latifit ndaj Lewisit është fitorja.

“Fitorja do të më ngjiste në divizion dhe pastaj do të mund të kisha mundësinë të luftoj edhe për titull. Jam i fokusuar dhe luftën kundër Lewisit e kam marrë shumë seriozisht, pasi mund të hapen shumë mundësi për mua në peshën e rëndë”, shtoi Latifi.

“Synimi im është që në peshën e rëndë të debutoj me fitore edhe pse nuk do të jetë lehtë”.