Mediat angleze: Do të ishte një hap fatal transferimi i Rashicës në këtë klub

Milot Rashica do të largohet në verë nga Werder Bremen, por ende nuk e ka të qartë se ku do të transferohet.

Numri i skuadrave të interesuara për reprezentuesin kosovar është i madh, pasi ai kërkohet në Itali, Angli dhe Gjermani.

Liverpooli mbetet njëra nga skuadrat më të interesuara për lojtarin, por Rashica do të haste në vështirësi për të luajtur te gjiganti anglez.

Trajneri i The Reds e vlerëson Rashicën, mirëpo ai nuk preferon të ndryshojë treshen ofensive Sadio Mane, Mohamed Salah dhe Roberto Firmino, gjë që do të bënte Rashica të ishte vetëm një futbollist që do të prite rastin të inkuadrohet nga banka rezervë.

E për këtë ka shkruar edhe gjiganti mediatik 90min.com duke këshilluar Rashicën që mos ta zgjedh transferimin te The Reds.

“Do të ishte një hap fatal transferimi i Rashicës në Liverpool, pasi aty do kishte fatin e Xherdan Shaqirit që të qëndronte në bankë”, thuhet në artikullin e 90min.

Mediumi anglez që del në treg në 10 gjuhë të ndryshme, i ka propozuar Rashicës kalimin te Borussia Dortmund për ta zëvendësuar Jadon Sanchon që pritet të largohet.

Sipas këtij mediumi, Rashica do ta krijonte një partneritet të shkëlqyer me Erling Haaland e Thorgan Hazard në repartin ofensivë.

“Rashica do të ishte i aftë të mbulonte hapësirat që do të mbeten pas largimit të Jadon Sancho”.

“Futbollisti nga Kosova është shumë inteligjent, nuk i frikësohet dueleve një kundër një dhe ai mund ta krijoj një partneritet të shkëlqyeshëm me Erling Haaland dhe Thorgan Hazard”.

“Ai është i lumtur në Bundesliga dhe Dortmundi do të ishte zgjedhja ideale për të”, thuhet në artikullin e 90min.

Rashica ka një klauzolë largimi prej 38 milionë euro për skuadrat jashtë kufijve të Gjermanisë, ndërsa Werder duke marrë parasysh krizën nga koronavirus mund ta lejoj largimin e kosovarit edhe për 30 milionë.