Mediat spanjolle: Messi e ka njoftuar Barcelonën, se do largohet nga klubi këtë verë

Tashmë është çështje kohe kur Lionel Messi do të largohet nga Barcelona, raporton Esporte Interativo.

Kanë kaluar pesë vite kur argjentinasi e fitoi për herë të fundit Ligën e Kampionëve te skuadra katalunase dhe nga ajo kohë gjërat janë përkeqësuar.

33-vjeçari duket se nuk e ka dëshirën më që të pensionohet te Blaugranasit dhe ka kërkuar nga klubi që ta lënë të lirë të largohet edhe pse këta të fundit i kanë bërë me dije se do të ketë ndryshime rrënjësore në klub.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë po kërkohet me ngulm nga Interi e Manchester City, që janë të gatshëm të paguajnë çfarëdo çmimi për ta marrë atë.

Nerazzurët besohet se po i prijnë garës për transferimin e tij, mirëpo larg nuk qëndron as City i Pep Guardiolës.

Sipas raportimeve të fundit nga Spanja, largimi i Messit nga Camp Nou është i sigurt dhe vështirë se ndonjë gjë mund të bind atë që të mos largohet nga Barcelona.