Messi bën “follow” gjigantin anglez në Instagram

Sëfundmi në profilin e tij zyrtar në Instagram, Lionel Messi ia ka bërë ‘follow’ faqes zyrtare të Manchester City, një tregues kjo se e ardhmja e yllit argjentinas mund të jetë pikërisht te skuadra e Pep Guardiolas me trajnerin spanjoll që do ta priste krahëhapur 33-vjeçarin.

Me këtë veprim të numrit 10 të Barcelonës kanë nisur të ëndërrojnë edhe tifozët e Citiziens të cilët janë ekzaltuar nga ideja për të parë 6-herë fituesin e ‘Topit të Artë’ të mbajë të veshur fanellën e skuadrës së tyre.

Leo nuk është aspak i lumtur me menaxhimin e situatës në Barcelonë, të cilëve po u mungojnë liderë si Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez.

Ai vazhdimisht ka përsëritur se dëshira e tij është t’i varë atletet në Barcelonë, klubi që e rriti dhe ndihmoi të arrijë majat në futboll, por në futboll asgjë nuk dihet dhe kjo nuk është hera e parë që Leo e mendon largimin.

Sa i përket golave, Leo po kalon sezonin më të keq që prej vitit 2008.

Ai ka shënuar 28 gola në të gjitha garat, kaq pak nuk kishte shënuar që nga sezoni 2007/08, kur e kishte mbyllur me 16, për të nisur më pas shkëlqimin fillimisht me 38 gola në sezon dhe për shumë vite mbi 50 – kulmi ka qenë në sezonin 2011/12, ku Messi realizoi 71 gola.

Këtë edicion, ai ka dhuruar edhe 21 asiste, por i vetëm, nuk mundi ta ndihmojë Barçën për të mos e lënë Realin të rrëmbejë trofeun.