Messi publikon një video emocionuese me një mesazh të qartë

La Liga është rikthyer në aksion pas pauzës tre mujore me derbin andaluzian mes Sevillës dhe Betisit.

E pas rikthimit të futbollit në Spanjë dhe thuajse në gjithë botën, ka qenë gjeniu argjentinas Lionel Messi që ka publikuar një mesazh emocionues.

Kapiteni i Barcelonës në një bashkëpunim me kompaninë e veshmbathjeve sportive Adidas ka publikuar një video në profilin e tij në Instagram.

Në videon e publikuar nga Messi shihen disa nga momentet e tij më të mira me fanellën e Kombëtares së Argjentinës.

32-vjeçari ka thënë se ai dëshiron thjesht të luaj përsëri dhe se është gati të luftoj për një qëllim e që janë trofetë.

“Të jesh larg fushave më bëri të mendoj. Si çdo lojtar tjetër, unë thjesht dua të luaj përsëri. Sepse, të luash futboll e ka një çmim. Me njerëzit që na ndjekin është edhe më bukur”.

“Të mos harrojmë se ne jemi edhe frymëzimi i të tjerëve. Ndoshta trofeu më i rëndësishëm nga të gjithë në këtë situatë është rikthimi i lumturisë për të gjithë”.

“Tani që futbolli është rikthyer, unë jam gati të luftoj për këtë qëllim”, thuhet në mesazhin e Messit.

Në ndeshjen e parë pas rikthimit të futbollit në Spanjë, Lionel Messi me Barcelonën e tij do të luajnë në udhëtim te Mallorca.