Ndeshja në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, pritet të luhet pa tifozë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut është në presion për ndeshjen ndaj Kosovës më 26 mars ta zhvillojë pa tifozë, raporton mediumi maqedonas ‘Republika’.

Presion ka edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut, e cila edhe pse është organizatorja e ndeshjes, nuk e ka fjalën e fundit për praninë e tifozëve.

Arsyeja e insistimit që ndeshja të luhet pa tifozë nuk është koronavirusi, por frika nga incidente, gjëra të cilat nuk i do qeveria para fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare.

Por, qeveria maqedonase dëshiron ta përdorë koronavirusin si pretekst për të mbyllur ndeshjen për tifozët, megjithëse nuk ka raste të reja të infeksioneve në Maqedoninë e Veriut.

Përveç në Itali, ndeshjet e futbollit në Evropë po luhen normalisht.

Nuk është rastësi që Ministri i Shëndetësisë, Filipce në fundjavë njoftoi se ka mundësi që ndeshja Maqedonin e Veriut – Kosovë të luhet pa tifozë dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut u detyrua të shpjegojë se në rast se ndodhë kjo, paratë do t’u rikthehen atyre që blejnë bileta.

Megjithatë, vendimi përfundimtar do të miratohet nga Komiteti Drejtues dhe Ministria e Shëndetësisë.

Për më tepër, sipas informacioneve që po qarkullojnë në qarqet e futbollit, gjysma e biletave për ndeshjen janë blerë nga shqiptarët, përcjell Zëri.info.

Të dhënat e atyre që kanë blerë bileta mund të verifikohen lehtësisht pasi blerja u bë me një mjet identifikimi.

Pritet shumë shqiptarë të brohorasin për Përfaqësuesen e Kosovës, dhe në këto kushte mund të ketë incidente me tifozë maqedonas.

Ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës luhet më 26 mars në Shkup, në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve.

Ndeshja ndaj Kosovës është një nga më të rëndësishmet në historinë e futbollit maqedonas.