Në Kosovë të vetizoluarit duhet të betohen për…

Në Kosovë duan fjalën e nderit të të gjithë njerëzve në karantinë, përpara se të dalin.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njoftoi se personat që dalin nga karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, do të nënshkruajnë një deklaratë nën betim, përmes së cilës zotohen se do të vetizolohen.

Këta persona do të jenë në monitorim të vazhdueshëm.

“Shkelja e udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, për vetizolimin e obliguar do të dënohet sipas legjislacionit në fuqi për situatat emergjente të shëndetësisë publike”, thuhet në njoftim.

Ministria thotë se në të njëtën kohë, do të vazhdoj testimi edhe i personave që kanë mbushur mbi 2 javë në karantinën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë dhe lirimi nga karantina do të jetë gradual, i bazuar në rezultatet e testeve të bëra nga IKSHPK-ja.

Qendra e Studentëve në Prishtinë tashmë ka kaluar në menaxhim të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë deri në pushimin e gjendjes emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës.

Aty janë vendosur në karantinë një numër i konsiderueshëm i personave.