Nëse urgjentisht nuk dilet me një strategji të re, do ta korrim një fitore të Pirros

Nëse karantina është plani i vetëm, atëherë ne nuk kemi plan, por vetëm gatshmëri për të qëndruar të ngujuar.

Ka mundësi që kur të fitojmë betejën kundër koronavirusit do ta kemi humbur një luftë, atë për ta mbajtur ekonominë në këmbë. E gjithë bota po flet për një balanc në mes ekonomisë dhe shëndetit.

Çështja është kjo: çfarë do të bëjmë pastaj? Cili është plani? Në fakt a e ka dikush një plan? A e din dikush se nëse pandemia nuk mposhtet, e duket që nuk do të mposhtet shumë lehtë, sa kohë mund të mbijetojmë ne si shoqëri në karantinë?

Izolimi i njerëzve brenda, ose mënyra e izolimit të njerëzve brenda, sigurisht pa ndonjë koncept, nuk e bën aspak të vështirë për ta parashikuar rrjedhen e ngjarjeve në javët dhe muajt në vijim.

E nisim nga ajo që të gjithëve po na mungon, industria e restoraneve, kafeve, jetës së natës, hoteleve – ose me një fjalë industria e shërbimeve. Tashmë kjo sferë është e vdekur.

Qindra mijëra punëtorë, të shumtën punëtorë në të zezën dhe me paga relativisht të ulta, janë mbyllur brenda katër mureve. Javët e para drama përvecse e frikshme ishte nga pak edhe argëtuese.

Dicka që nuk ishte parë më herët, që po i prekte të gjithë njësoj – ose pothuajse njësoj. Kështu që të gjithë ishin në gjendje që për të mirën e përbashkët të sakrifikonin një pagë personale.

Mirëpo kjo nuk përfundon këtu. Tashmë janë qindra mijëra paga personale më pak. Të gjithë ata, pas kalimit të cdo dite, do të blejnë më pak, do të kursejnë më shumë.

Kjo dinamikë fillon t’i godas industritë tjera. Cdo kush do të afektohet, e edhe shteti. Nëse ne të gjithë jemi liruar prej tatimeve, nëse bizneset mbyllën një nga një, nëse ratat e kredive nuk kthehen, nëse rryma dhe uji nuk paguhen, nuk do shumë mend për të ditur se edhe arka e shtetit do ta ketë fatin e kuletave tona.

Pastaj ai entuziazmi i ditëve të para, ku ndonëse ishte i frikshëm, do të pësojë rënie.

Në cdo vend të botës tonë, të kësaj evropiane, tash qeveritë po bëjnë plane për fazën e dytë të pandemisë. Cdo shkëncetar është i bindur që kjo nuk është një krizë që do të mbyllet në maj a qershor, e që besa as në dhjetor, e ndoshta as në pranverën e ardhshme.

Eksperienca e kaluar, ajo e para 100 viteve, ka treguar që cdo pandemi e kësaj natyre do ta ketë edhe një fazë të dytë, e e cila mund të jetë edhe më e rëndë se e para.

Pas shtjerrjes së financave, pas rënies së fuqisë blerëse, njerëzit cdo ditë e më tepër do të kanë më pak empati për vdekjen e një të moshuari në lagjën e tyre, e lëre më diku në një shtet tjetër.

Ata do të fillojnë të flasin për hapjen e ekonomisë, për shkollimin e fëmijëve dhe si nën hundë, duke mos qënë të sigurtë për reagimin e rrethit, do të fillojnë të thonë se “edhe ashtu mosha mesatare e viktimave të virusit është shumë e lartë”.

Të këtillet për momentin mund t’i gjykojmë si njerëz pa emocione dhe pa ndjenja për komunitetin, por pritni vec edhe pak dhe do ta shihni se sa shumë njerëz paska pa emocione dhe pa ndjenja të tilla të komplikuara. E sipas të gjitha gjasave edhe ti e unë. Kjo nuk është punë e thjeshtë.

Solidariteti dhe sakrifica maksimale për të shpëtuar cdo jetë të mundshme mund të shpie në një humnerë tjetër shumë më të rrezikshme se sa kjo e para.

Bota po shkon tash drejt një krize të rëndë ekonomike, me shumë mundësi më e rënda që nga ajo e viteve të 30’ta, që njihet edhe si Depresioni i Madh ekonomik.

Numri i të papunëve në Amerikë ka shkuar mbi 16 milionë. Një rënie e madhe ekonomike në Amerikë shkakton stuhi në Evropë dhe anëkënd globit.

Bota nuk është tash sikur ajo që ishte në kohën e Gripit Spanjoll. Në atë kohë ekonomitë dhe njerëzit nuk ishin kaq të integruar sa janë sot. Ishin, por jo kaq.

Në vitin 2008, në krizën e fundit ekonomike, rënia e një banke, e katërta sipas fuqisë në Amerikë, Lehman Brothers, e kishte dridhur të gjithë ekonominë botërore.

U deshtën rreth dy vite angazhim global për ta stabilizuar ekonominë. Kriza tash është pakrahasimisht më e rëndë se sa ajo. Nuk është puna më tek një bankë. Janë të panumërta industritë që po pritet të kolapsojnë.

Bie fjala turizmi, industria ajrore, ajo e naftës etj., et. Këto kanë konsekuenca globale.

Prandaj, në kohën kur varret po shtohen, madje në Amerikë për t’i akomoduar të v’dekurit e shumtë po hapen varreza masive, ekonomistët dhe filozofët kanë filluar t’i shtrojnë disa pyetje, që në shikim të parë do të dukeshin jomorale.

Kur është momenti që të pajtohemi me disa v’dekje, për t’i parandaluar disa të tjera? Cili është balanci ideal në mes të vdekjeve të sotshme dhe shpëtimit të ekonomisë?

Sa v’dekje në ditë nga koronavirusi do të ishin të pranueshme në mënyrë që të fillojmë ta hapim jetën gradualisht, e edhe ekonominë dhe edukimin? Nëse fillojmë ta hapim jetën, në cilin sektor duhet të fillojmë atë?

Dallim i esencial në mes të Gjermanisë, që ka pak viktima, dhe Italisë që ka shumë viktima, është mosha e të prekurëve. Në Gjermani mosha mesatare e të infekturarëve është 48 vjec, kurse në Itali 68.

Në këtë diferencën prej 20 vjetëve, fshihen mbi 10 mijë të v’dekur.

Nëse urgjentisht nuk dilet me një strategji të re, me një fushatë të re të vetëdijesimit, duke marrë masa për t’i mbrojtur grupet që janë më të ndieshme ndaj virusit, atëherë në fund të kësaj lufte të gjatë, do ta korrim një fitore të Pirros.

Do ta kemi një ekonomi të vdekur, një arsim të rrënuar, një sistem shëndetësor të stërlodhur.

Do ta kemi një shoqëri të mundur. Ajo cfarë kishte nisur si një kuriozitet, për një virus që po i vriste kinezët, ka mundësi që do të përfundojë si tragjedi.