Nga vjen fjala “karantinë” dhe çfarë kuptimi ka?

Fjala “karantinë” vjen nga dialekti venedikas që në italisht nënkupton “quaranta giorni” dhe në shqip 40 ditë.

Ky emër iu vendos procesit të izolimit që iu bëhej anijeve dhe njerëzve para se të futeshin në Venedik gjatë periudhës së prekjes së botës nga murtaja apo ashtuquajtura, “V’dekja e Zezë”.

Kujtojmë se mes viteve 1348 dhe 1359, “Murtaja” shfarosi 30% të popullsisë së Evropës dhe një përqindje të popullsisë së Azisë.

Një dokument i arkivave të Dubrovnikut në Raguza, (Kroacia e sotme), që daton në vitin 1377 urdhëronte se para se të lejohej hyrja në qytet, të ardhurit e rinj duhej kalonin 30 ditë në një vend të izoluar, në ishujt aty pranë, për të parë nëse shfaqnin simptomae e sëmundjes.

Në vitin 1448 shteti venedikas e zgjati periudhën e izolimit në 40 ditë duke i dhënë kështu emrin karantinë ose quarantina. Ky afat rezultoi se ishte një formulë e mirë për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Karantina dyzetëditore dëshmoi se ishte një formulë efektive për trajtimin e shpërthimeve të murtajës. Sipas vlerësimeve aktuale, murtaja kishte një periudhë 37-ditore nga infeksioni deri në v’dekje. Prandaj, karantinat evropiane do të kishin qenë shumë të suksesshme në përcaktimin e shëndetit të ekuipazheve nga anijet e mundshme tregtare dhe të furnizimit.

Karantina si masë izolimi për të parandaluar rrezikun vjen gjithashtu edhe nga bota islame. Karantina e detyrueshme spitalore e grupeve të veçanta të pacientëve, përfshirë ata me lebrozë, filloi herët në historinë islame.

Midis viteve 706 dhe 707 kalifi Al-Walid I, ndërtoi spitalin e parë në Damask dhe lëshoi një urdhër për të izoluar ata të infektuar me lebër nga pacientët e tjerë në spital.

Praktika e karantinës së detyrueshme të lebrës në spitalet e përgjithshme, vazhdoi deri në vitin 1431, kur osmanët ndërtuan një spital lebrozësh në Edirne.

Në shekullin XXI, personat e dyshuar për bartjen e sëmundjeve infektive janë karantinuar, si në rastet e Andrew Speaker (tuberkulozi rezistent ndaj shumë ilaçeve, 2007) dhe Kaci Hickox (Ebola, 2014).

Kalimi i pacientëve të infektuar në repartet e izolimit dhe vetë-karantina, e bazuar në shtëpi e njerëzve të ekspozuar potencialisht, ishte mënyra kryesore që përfundoi epidemia e virusit Ebola të Afrikës Perëndimore më 2016.

Pak a shumë kjo është përvoja e historisë njerëzore me karantinimin, me të vetmen mundësi për tu ndeshur “urtësisht” dhe “trimërisht”.