Nisin hetimet për lidhjen e mundshme të koronavirusit me ndeshjen e Liverpoolit kunder Atletico Madridit

Autoritetet e shëndetit publik do të hetojnë një lidhje të mundshme mes ndeshjes të Ligës së Kampionëve që u luajt në Liverpool dhe ngritjes së rasteve të prekura me koronavirus në qytet.

Kryetari i bashkisë, Joe Anderson, ka caktuar drejtorin e shëndetit publik të qytetit, Matthew Ashton, për të parë nëse ka ndonjë lidhje pas akuzave se një numër i v’dekjeve nga koronavirusi ka ardhur shkaku i ndeshjes mes Liverpoolit dhe Atletico Madridit, që u zhvillua më 11 mars në stadiumin “Anfield Road”, transmeton The Guardian.

Në këtë takim ishin të pranishëm 52 mijë shikues, përfshirë tre mijë nga qyteti i Madridit, kur Spanja veçse ishte në bllokim të pjesshëm pas përhapjes së koronavirusit.

“Unë kam kërkuar nga Matt Ashton dhe ekipi i tij të kryejnë një hetim të plotë për çdo lidhje të mundshme midis asaj ndeshjeje dhe situatës me koronavirusin në qytet.

Ne duam të kuptojmë nëse ai vendim ka pasur ndikim te njerëzit e këtij qyteti dhe unë i kam kërkuar për të parë nëse të dhënat mund të na japin një tregues për këtë”, ka thënë kryebashkiaku Anderson.

Në fakt, drejtori i shëndetit publik të qytetit të Liverpoolit, Ashton, javë më parë kishte pranuar se ndeshja mes Liverpoolit dhe Atletico Madridit nuk është dashur të zhvillohet.

Ai shtoi se vendimi për ta lejuar ndeshjen në atë kohë ishte i gabuar, por jo edhe i qëllimshëm.