Nuk e zë dot gjumi nga dhimbjet: Elvis Naçi tregon sa para duhen për shpëtimin e vogëlushës 10-vjeçare

Historia e Argitës 10 vjeç me skoliozë u transmetua në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”.

Rasti i saj është i rëndë dhe ka nevojë për ndihmë urgjente. Vajza thotë se nuk e zë dot gjumi nga dhimbjet, ndërsa në shkollë e bullizojnë pasi shikon vetëm nga një sy.

“Unë jam në klasën e dytë, vrapoj me vrap por nuk marr dot frymë, edhe kur bëj detyrat më dhemb shpina. Nuk fle dot më dhemb shpatulla, me zor fle. Në shkollë më thonë ti je qorre, unë vuaj, me vjen për të qarë, iki nga loja”,-thotë Argita.

E ëma tregon mes lotëve se korseja nuk e ka përmirësuar.

“Vajza ime shikon vetëm nga njëri sy, nuk e di çfarë do bëhet. Më kanë thënë se jeta e vajzës sime rrezikohet shumë.

Në shkollë ajo shikon fëmijët e tjerë që luajnë, gjatë gjithë kohës vajza ime qan. Nuk kemi para për operacionin, ju lutem shqiptarëve ne nuk kemi mundësi”,- thotë e ëma.

Më herët Elvis Naçi me anë të një postimi në rrjetet sociale u ka bërë thirrje shqiptarëve të ndihmojnë vogëlushen e cila vuan nga skolioza që po i merr frymën dhe i shkakton dhimbje.

Vajza vuan edhe nga sytë. Naçi i ka bërë thirrje shqiptarëve në emision që t’i vinë në ndihmë Argitës së vogël që ajo të ketë një fëmijëri si gjithë fëmijët e tjerë. Naçi tha se sëmundja po i merr frymën Argitës së vogël dhe se operacioni për t’i shpëtuar jetën vogëlushes kushton 25.000 euro.