Koronavirusi: 50 mijë veta kanë humbur punën në Kosovë

Kosova ka një shkallë papunësie prej 30 për qind, por ky numër pritet të jetë më i madh marrë parasysh numrin e personave, që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë.

Një hulumtim i Shoqatave Ekonomike në Kosovë i publikuar më 21 mars, vë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, sipas këtij hulumtimi rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet e mesme dhe ato të vogla – rreth 13.9 për qind e tyre kanë larguar mbi 50 për qind të të punësuarve.

Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës bëjnë të ditur se është rritur numri i atyre të cilët regjistrohen si të papunë.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj Agjencie, Drin Haraçia, tha për Radion Evropa e Lirë se vetëm brenda pesë ditëve në zyrën e punësimit janë regjistruar mbi 6 mijë persona si të papunë.

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se tani më në Kosovë kanë humbur punën rreth 50 mijë punëtorë për shkak të ndërprerjes së obliguar të disa veprimtarive ekonomike.

“Se sa do të rritet niveli i papunësisë, kjo do të varet se sa do të mbështeten bizneset në këtë kohë nga shteti. Për aq kohë sa shteti nuk i mbështet bizneset që të kenë likuiditet apo t’ju ndihmojnë finaciarisht, atëherë papunësia do të jetë shumë më e madhe sesa që eshte tash.

Ne mendojmë që së paku 50 mijë punëtorë deri më tani kanë mbetur pa punë”, thotë Krasniqi.

Qamil Shala nga Fushë-Kosova ka një muaj që ka mbetur pa punë, për shkak të masave emergjente, që kanë shtyrë shumë biznese të mbyllin dyert. Masat emergjente kanë nis së zbatuari që prej paraqitjes së koronavirusit të ri.

“Kam qenë punëtor në një market, por para një muaji më kanë larguar nga puna dhe tani jam i papunë; jo vetëm unë, aty ka pas shumë punëtorë, por janë larguar shumica dhe nuk e di çka do të bëhet pasi të përfundojë pandemia.

Nuk besoj që do të kthehemi aty për një kohë të gjatë, por do të kemi vështirësi edhe pas përfundimit të pandemisë, nuk e di me çka do të jetojmë”, thotë ai.