Pasi e fitoj betejen me virusin, Kina shqetësohet se virusi po i vjen nga jashtë

Vendi ku “lindi” virusi Covid-19 në fund të dhjetorit të vitit të shkuar, Kina, ka raportuar vetëm një rast me koronavirus në 24 orët e fundit, kur bëhet fjalë për vendasit, por zbuloi edhe 20 raste të të prekurve e që janë të huaj, shkruan “Daily Mail” të martën.

Rasti i vetëm u zbulua në Wuhan, qytetin ku shpërtheu ky virus dhe kjo lë të kuptohet se virusi po frenohet.

Por vendi tani është i shqetësuar për një fluks të infektuarish nga jashtë, pasi mesatarisht 20.000 njerëz fluturojnë drejt Kinës çdo ditë.

Sipas gazetës britanike, raporton Koha, ka një përmbysje të roleve: tash është Pekini që po kërkon që të huajt që futen në Kinë të hyjnë në karantinë 14-ditore. Deri më tash, bota e ka parë Kinën si rrezik.

Kina raportoi gjithashtu për 13 vdekje si pasojë e virusit gjatë ditës së djeshme, duke rritur numrin në këtë vend në 3.226.

Gjithsej janë 80.881 raste me koronavirus në këtë vend, shumë janë shëruar e më pak se 9.000 mbeten në trajtim.

Progresi në Kinë është në kontrast me krizën në rritje në vendet e tjera, kryesisht në Evropë.

Numri i vdekjeve në gjithë botën, si pasojë e koronavirusit, ka shkuar mbi 7.000, ndërsa i infektimeve mbi 180.000.

Italia mbetët vendi me situatën më të rëndë. Deri në mëngjesin e sotëm janë regjistruar gati 28 mijë raste me Covid-19 dhe 2.158 të vdekur si pasojë e tij.