“Plani B” i LDK-së që po diskutohet nëse AAK largohet nga koalicioni

Kriza ndërmjet partive të koalicionit qeverisë LDK – AAK- Nisma tashmë ka marrë udhë.

Krejt kjo ka nisur kur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tash e disa javë ka lëshuar akuza të rënda ndaj partisë që drejtohet nga Isa Mustafa (LDK), saktësisht drejt kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti.

Së fundi, ish kryeministrit i Kosovës Ramush Haradinaj, i ka vendosur një kusht Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëse duan që koalicioni të vazhdoj – pozitën e Presidentit të Kosovës.

Madje, për këtë Haradinaj ka marrë edhe bekimin e partisë që drejton- Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Por ky kusht i vënë nga lideri i AAK-së nuk është i vetmi që ka shpërfaqur prishjen e raporteve me partinë që është në bashkëqeverisje.

Emërimi i koordinatorit shtetëror për bisedimet Kosovë – Serbi, Skender Hyseni nga ana e kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti e ka zëmëruar më të madhe kryetarin e AAK.

Menaxhimi i pandemisë dhe “rrëshqitja” potenciale e Kosovës nga dialogu politik në atë teknik ndërmjet dy vendeve ( Kosovë – Serbi), e ka rritur pezmin e Ramush Haradinajt ndaj qeverisë Hoti deri në atë masë saqë ish gjenerali i luftës së fundit në Kosovë, ka nisur “të mos ketë besim” në qeverinë aktuale.

Për krejt këto tema të hënën do të ketë një takim sy me sy ndërmjet Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt por edhe me prezencën e kryeministrit Avdullah Hoti.

Takimin e së hënës e ka konfirmuar vetë kreu i LDK, Isa Mustafa, e që arsye pse është shtyrë kaq gjatë sqarimi i “ankesave” të Haradinajt ka qenë Avdullah Hoti, i infektuar e tashmë I shëruar nga koronavirusi.

Para këtij takimi Isa Mustafa i ka këputur shpresat Ramush Haradinajt për pozitën e presidentit duke i “thënë se kjo pozitë nuk ka qenë “pazar” i marrëveshjes LDK- AAK- NISMA për bashkëqeverisje.

Burime të sigurta të Gazeta Blic në kushte anonimiteti kanë thënë se LDK, në rast se AAK del nga koalicioni qeverisës, do ta përdorë një kartë tjetër apo planin B e që është bindja e PDK-së për të hyrë në qeveri me LDK.

Deri tani asgjë nuk ka zyrtare, përveç se zyrtarë të lartë të PDK kanë konfirmuar se ka pasur takime ndërmjet LDK e PDK në mënyrë që kjo e fundit të jetë pjesë e qeverisë.

Takimet i ka konfirmuar Xhavit Haliti pa dhënë shumë detaje, përveç se janë mbajtur në Jug të Shqipërisë.

Këto burime kanë thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës për ta bindur PDK-në në mënyrë që kjo e fundit të jetë në qeveri, do të rris numrin e ministrive aktuale.

“Dy minisitri shtesë do t’i ketë kabineti qeveritar në rast se PDK do të jetë pjesë e qeverisë”, ka thënë një burim i lartë në LDK për Gazeta Blic.