Plani i Premierligës për ta përfunduar sezonin, nëse koronavirusi godet sërish

Klubeve të Premierligës do t’iu ofrohet një zgjidhje për ta pranuar renditjen tabelore si përfundimtare, nëse pandemia e detyron ndërprerjen e sezonit të ri pasi të jenë zhvilluar të paktën 50% e ndeshjeve.

Ky plan po bëhet me shpresën që askush të mos hidhërohet me caktimin e pozitave përfundimtare në renditjen tabelore, nëse koronavirusi e bën të pamundur kompletimin e sezonit.

Një grup punues i ligës elitare angleze do t’ua dërgojë klubeve këtë propozim më 3 shtator, me bindjen se do të marrë përkrahjen e duhur, shkruan gazeta prestigjioze The Guardian.

Në këtë mënyrë do të vendosej se kush e fiton titullin, kush shkon në garat evropiane dhe kush bie nga liga.

Premierliga e kompletoi sezonin e kaluar duke i zhvilluar të gjitha ndeshjet, por sfidat me të cilat u përball ishin të jashtëzakonshme. Liga u pezullua në mes të marsit dhe rinisi më 17 qershor. Gjatë kësaj periudhe u luajtën 92 ndeshje te mbetura.

Një valë e re e koronavirusit pritet të ndodhë në dimër dhe do të shkaktojë më shumë telashe. Prandaj, Premierliga ka vendosur ta formojë grupin punues për të gjetur zgjidhje.