Pochettino ose Allegri në vend të Contes në Inter

Shpërthimi i papërmbajtshëm i Antonio Contes e ka shkaktuar një ndarje të pariparueshme në Inter, prandaj ai mund të zëvendësohet me Mauricio Pochettinon ose Max Allegrin, sipas mediave italiane.

Conte duhej ta festonte fitoren 2:0 ndaj Atalantas të shtunën mbrëma, e cila ia siguroi Interit vendin e dytë me 82 pikë, aq pikë sa i kishte fituar Interi i Jose Mourinhos në sezonin 2009/10.

Por ai e përdori konferencën e fundit për media në ligë për të hedhur kritika të ashpra ndaj hierarkisë së klubit, duke u ankuar se klubi nuk i mbrojti aspak lojtarët dhe trajnerin.

Mediat italiane, përfshirë Sky Sport Italia, Sport Mediaset, La Gazzetta dello Sport, Tuttosport dhe Corriere dello Sport, raportojnë se dëmi është i pariparueshëm.

Edhe pse shkarkimi nuk pritet të ndodhë, veçanërisht sepse Conte ka pagë vjetore në vlerë 12 milionë euro, pritet që Interi dhe Conte t’i ndajnë rrugët në pajtueshmëri pas vetëm një sezoni.

Favorit për ta zëvendësuar atë shihet Max Allegri, i cili tash e një vit është i papunë.

Opsioni i dytë është Mauricio Pochettino, i cili u shkarkua nga Tottenhami në fillim të sezonit të kaluar dhe është i papunë që prej atëherë.