Policia ndërpret një dasmë në Kosovë, arreston kryefamiljarin

Dje në sheshin e Prishtinës këngëtarët mbajtën protestë për lejimin organizimit të dasmave, por një familje në Skenderaj kishte kaluar në veprim konkret, duke organizuar dasmë në oborrin e shtëpisë e për ta ndezuar festën kishte ftuar edhe tupanxhinjë.

Mbrëm rreth orës 21:00, policia ka ndërhyrë në një aheng familjar në Skenderaj, ku po mbahej një dasmë në të cilën ishin ftuar edhe shumë mysafirë, e edhe me muzikë me zë të lartë.

Ishte pikërisht muzika ajo që kishte tërhequr vëmendjen e policisë, të cilët edhe kanë ndërhyrë për ta ndërprerë ahengun që po mbahej në kundërshtim me masat e caktuara nga shteti, për pengim të përhapjes së Pandemisë.

Kur policia kishte shkuar në vend të ngjarjes, në oborrin e shtëpisë kishte hasur duke vallëzuar rreth 30 persona nën tingujt e muzikës me tupana.

Me këtë rast, mësohet se policia ka shoqëruar për në stacion policor, kryefamiljarin, të cilin pas intervistimit e ka liruar për në procedurë të rregullt.

Duhet, theksuar se pas hapjes së shumicës së veprimtarive, shtetit po i kërkohet që gjatë verës, të lejojë edhe mbajtjen e dasmave, pasi kjo lidhet direkt edhe me faktorin ekonomik. Janë këngëtarët dhe pronarët e restoraneve, të cilët edhe me protestë e kanë kërkuar një gjë të tillë.