Presidenti i Getafe: Nuk do të fluturojmë drejt Italisë, le të humbasim në tavolinë

Nëse ndeshjet e Ligës së Kampionëve po luhen rregullisht, megjithëse me masa sigurie, siç janë dyert e mbyllura të stadiumeve, duhet pritur edhe ndonjë gjë tjetër në “Europa League”. Ekziston rreziku që gjithçka të ndalojë për shkak të emergjencës së “Coronavirus”.

Kjo, edhe për shkak të një dekreti të lëshuar nga qeveria spanjolle, që bllokon fluturimet nga Italia drejt Spanjës. E thënë ndryshe, Getafe së pari, dhe Seville për një javë, nuk mund të ktheheshin në atdheun e tyre, pasi të luanin ndeshjet e tyre përkatëse kundër Interit dhe Romës.

Presidenti i Getafe, Angel Torres Sanchez, njoftoi vendimin për të mos u nisur drejt Milanos, në mënyrë që të mos rrezikojë shëndetin e sportistëve dhe anëtarëve të stafit teknik: “Nëse diçka nuk ndryshon, Getafe nuk do të udhëtojë për në Itali.

Ne kemi kërkuar nga UEFA një alternativë. Nuk duam të bashkohemi me shpërthimin e “Coronavirus”. Kemi kërkuar nga federata ndihmë për këtë problem. Nëse duhet të humbasim në tavolinë, le të humbasim. Nuk dua të marr përsipër asnjë lloj rreziku”.

Vetë pronari i klubit iberik kishte treguar njëfarë pesimizmi në konferencën për shtyp, të mbajtur disa orë më parë: “Qeveria spanjolle ka qenë e qartë, ne do të shohim se çfarë do të vendosë shteti italian. Ose fluturojmë të sigurt, ose e pezullojmë udhëtimin.

Unë nuk jam mjek, nuk mund të them asgjë, derisa të ketë diçka përfundimtare. Çdo ditë është më e ndërlikuar, do të shohim se çfarë na këshillojnë specialistët. UEFA nuk ka thënë asgjë për momentin, jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me të. Në orët e ardhshme do të vendosim”.

Me pak fjalë, ndeshja mes Interit dhe Getafe ka të ngjarë të mos luhet.

Mbetet për të kuptuar nëse UEFA do ta shtyjë atë apo do të vendosë t’iu japë fitorten 3-0 në tavolinë zikaltërve, për mosparaqitje të spanjollëve.