Propozohet të ndahen nga 100 euro për secilin qytetar

AAK ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur rreth situatës emergjente në ekonomi si pasojë e pandemisë.

Gazmend Abrashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar një projekt që secilit qytetar të Kosovës t’i ofrohen nga 100 euro si ndihmesë kur vendi është bllokuar si pasojë e përhapjes së koronavirusit.

“Ne këto masa nuk janë përfshirë shumë kategori si punëtorë pa kontrata, nënat vetushqyese, familjet që jetojnë nga remitancat etj.

Si kurrë më parë secili qytetarë duhet ta ndjejë dorën e shtetit andaj ne si AAK propozojmë që të ndahen si mbështetje e menjëhershme për secilin qytetar nga 100 euro”.

“Nga ekstraktet duhet të nxirret numri i saktë i qytetarëve dhe kështu të mbështetet secili qytetar pa dallim – në tejkalimin e kësaj situate të shkaktuar nga pandemia”.

Abrashi ka thënë se ky projekt do të kushtonte 170 milionë euro dhe se këto mjete duhet të sigurohen sa më shpejt.

“Kuvendi duhet të bëjë urgjentisht rishikimin e buxhetit duke ndjekur nevojat aktuale me kryetarët e komunave të vendit. Borxhi publik i Kosovës është në nivelin më të ulët në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe rritja e këtij borxhi duhet parë si mundësi”.

Sipas tij, Pako Emergjente e Qeverisë për ndihmesë është e pamjaftueshme. Ai ka thënë se situata kërkon reagim më të shpejtë.

“Dëmet mund të jenë të pariparueshme nëse reagimi nuk është i menjëhershëm. Këto mjete janë të domosdoshme duke pasur parasysh se pritet një rënie e remitancave prej më shumë se 500 milionë eurosh”.