Qeveria gjermane publikon shifrat, ja sa kosovarë jetojnë në Gjermani

Javën e kaluar, qeveria gjermane ka publikuar të dhëna lidhur me numrin e shtetasve të huaj që jetojnë në Gjermani. Bazuar në këto të dhëna, numri i kosovarëve që jetojnë atje shkon në rreth 237 mijë.

Këto të dhëna, të marra nga Regjistri Qendror i të Huajve, i ka vënë në dispozicion qeveria gjermane në një përgjigje ndaj një pyetjeje me shkrim të shtruar nga grupi parlamentar i partisë Alternativa për Gjermaninë.

Deputetët e kësaj partie René Springer, Jürgen Pohl dhe Martin Hesse, me kërkesën e tyre synonin të kuptonin se sa është përfitimi i Gjermanisë prej Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila do të zgjatet deri në vitin 2023.

Që punëdhënësit janë shumë të interesuar për punëtorë nga Ballkani Perëndimor, kjo mund të shpjegohet edhe me çmimin e tyre.

Nga përgjigja e qeverisë ndaj pyetjes së deputetëve të AFD-së, del në pah se diferenca e pagës mujore mes një gjermani dhe një ballkanasi shkon deri në 1600 euro në muaj. Sa më i lartë kualifikimi, aq më e madhe diferenca.

Ndërsa rroga mesatare e një Gjermani është 3509 euro në muaj (31.12.2019).