Rashford jep premtimin e madh për fëmijët e uritur

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus Rashford, ka premtuar se do të vazhdojë të luftojë deri kur të mos ketë asnjë fëmijë që mbetet pa ushqim në Britani të Madhe, pasi ndihmoi t’i grumbullojë 20 milionë funte për t’i ndihmuar fëmijët në nevojë, gjatë krizës së koronavirusit.

Ylli anglez 22-vjeçar bashkëpunoi me organizatën FareShare, që bën shpërndarjen e gjësendeve ushqimore për gati 11 mijë shoqata bamirëse për mjekët në vijën e frontit kundër koronavirusit dhe grupe të komuniteteve të ndryshme.

“Kam lajme të mrekullueshme! Ne e kishim synim që deri në fund të qershorit të mund t’i furnizonim me tre milionë racione ushqimore personat në nevojë, kudo në Britani”, shkroi Rashford në Twitter.

“Sot ne e kemi arritur shumën financiare të nevojshme për t’i ofruar këto racione. Faleminderit të gjithëve për këtë përkrahje”.

Rashford, që këtë javë u emërua lojtari i pesë më i vlefshëm në Evropë, tha se ai po e feston këtë sukses, mirëpo s’e ka qëllim ta ndërpresë kontributin për këtë problem.

“Më besoni kur ju them, do të vazhdoj të luftoj deri kur të mos ketë asnjë fëmijë në Britani të Madhe që duhet të shqetësohet se ku nga ku do t’i vijë vakti i ardhshëm”.

“Kjo është Anglia në vitin 2020 dhe familjet kanë nevojë për ndihmë”.