Sekreti i vendit të vetëm pa koronavirus në Evropë

Shteti i vogël ballkanik i Malit të Zi është i vetmi vend në Evropë pa një rast të konfirmuar të koronavirusit që ka përfshirë në të gjithë globin dhe ka infektuar mbi 125,000 persona.

Mali i Zi vendosi të dielën të mbyllë kufijtë për të huajt dhe izolimin e detyrueshëm për udhëtarët nga jashtë, në përpjekje për të mbetur vendi i vetëm pa koronavirus në Evropë.

Ky vend nuk nuk ka ndonjë sekret të veçantë përveç se mori shumë herët masa parandaluese duke mbyllur të gjitha shkollat, hotileritë, sallat e lojërave për fëmijë dhe palestrat dhe qendrat sportive për dy javë.

“Ne duam të mbetemi ajo pjesë e Evropës pa virus dhe të tregojmë se të gjithë ne kemi aftësinë për të parandaluar shfaqjen dhe përhapjen e kësaj sëmundje në Mal të Zi.

Secili nga ne individualisht duhet të kontribuojë”,tha drejtori i Institutit Malazez të Shëndetit Publik, Boban Mugosa, në një konferencë për media.

Një nga masat e paralajmëruara është një ndalim i përkohshëm i shtetasve të huaj për të hyrë në Mal të Zi, pavarësisht nga vijnë, me përjashtim të të huajve me vendbanim të përhershëm në Mal të Zi dhe të huajve që drejtojnë mjete motorike të përdorura për të transportuar mallra.

Një masë e detyrueshme 14-ditore e izolimit u dha për të gjithë qytetarët malazez që vijnë nga jashtë.

Mali i Zi, vendi i vogël i Ballkanit ka një popullsi prej 643 mijë banorësh. Deri para disa ditëve edhe Kosova në rresht me Malin e Zi kishte qenë e paprekur nga koronavirusi, derisa tashmë numri i ka shkuar në 16.