Shqiptarët shkojnë dhe luten tek Kisha e Laçit që Perëndia të heqë “mallkimin” koronavirus

Janë të shumtë njerëzit që mendojnë se koronavirusi është një mallkim i Zotit për mëkatet e njerëzimit dhe dëmet që i ka shkaktuar ai tokës.

Për pasojë, ai që mund ta mundë virusin është po vetë perëndia. Dhe vendi më i mirë për këtë është kisha e Shna Ndout në Laç, ku bashkë me ata që kërkojnë fatin, apo shërbimin e sëmundjeve, nuk kanë munguar as ata që luten për të shpëtuar bota nga koronavirusi.

Edhe pse këtu njerëzit luten edhe kundër virusit, këtu ata nuk respektojnë asnjë masë sigurie që rekomandojnë mjekët.

Pavarësisht se lëvizja e qytetarëve është e ndaluar, laçjanët dhe jo vetëm, nuk heqin dorë nga ardhja në kishë.

Jashtë kamerave punëtorët e vendit të shenjtë thonë se ditët e mëparshme nuk ka pasur vizitorë, por dje ata ishin të shumtë në numër.

Kisha e Laçit është një ndër vendet më të shenjta në Shqipëri. Shumë njerëz thonë se janë shëruar nga sëmundje të rënda, vetëm pasi janë ngjitur deri këtu.

Disa të tjerë thonë se iu janë hapur dyert e fatit, falë lutjeve në këtë vend.