Si e arriti Gjermania suksesin në menaxhimin e koronavirusit

BERLIN, GERMANY - MARCH 19: Almost empty Pariser Platz by the Brandenburg Gate on March 19, 2020 in Berlin, Germany. Everyday life in Germany has become fundamentally altered as authorities tighten measures to stem the spread of the coronavirus. Public venues such as bars, clubs, museums, cinemas, schools, daycare centers and universities have closed. Many businesses are resorting to home office work for their employees. And travel across the border to most neighbouring countries is severely restricted. (Photo by Maja Hitij/Getty Images)

Qeveria gjermane vendosi t’i zbusë në mënyrë të kujdesshme masat kufizuese të jetës publike. Pak lehtësime do të zbatohen që nga e hëna e javës që vjen, lehtësime më të mëdha do të pasojnë prej datës 4 maj.

Arsyeja ka të bëjë me faktin se në këtë epidemi nuk ndihmojnë as nxitimi, dhe as përpjekjet këmbëngulëse për të parashikuar me çdo kusht të ardhmen afatgjatë.

Orientimi kryesor për qeverinë gjermane janë përfundimet e shkencëtarëve, të cilat bazohen kryesisht në modele matematikore.

Modelet dhe skenaret për virusin në Gjermani

Në këtë situatë të panjohur në Gjermani, edhe qeveria qendrore bazohet në modele për të marrë vendime. Kancelarja Angela Merkel shpjegoi për mediet se hapësira që ka qeveria për t’i lehtësuar masat është ende e vogël.

Një rritje fare e vogël e infektimeve mund ta çojë edhe sistemin shëndetësor gjerman në limit të kapaciteteve. Aktualisht, shkalla e riprodhimit të virusit, pra numri i njerëzve që infekton 1 njeri është afërsisht 1 person (sot 0,7).

Po të rritet kjo shkallë në 1,1, të gjithë shtretërit e reanimacionit në Gjermani do të zihen në muajin tetor. Vala e dytë e infektimeve parashikohet në vjeshtë të këtij viti.

E treta në pranverë të vitit të ardhshëm dhe e katërta në vjeshtë 2021. Vetëm atëherë do të arrihet infektimi i plotë i popullatës, pra do të infektohen 60-70 përqind e saj.

Pra edhe do të ketë edhe antitrupa kundër virusit tek njerëzit. Me daljen e një vaksine kundër virusit, pasojat te njerëzit do të minimizohen. Provat klinike për këtë vaksinë fillojnë edhe në Gjermani javët e ardhshme.

Admirim nga partnerët evropianë për Gjermaninë

Gjermania shihet me admirim për menaxhimin e kësaj krize nga shumica e shteteve evropiane. Organizata britanike, London Deep Knowledge Group madje e kategorizoi Gjermaninë “vendin më të sigurtë dhe më stabil në Evropë, dhe të dytin në botë”, bazuar në menaxhimin e krizës.

Vendi i parë në botë është Izraeli, që ka përvojë të gjerë me krizat. Pastaj vijnë Zvicra e Austria. SHBA vijnë në vendin e 70-të.  Këtë kategorizim të qendrës britanike e citon sot revista Der Spiegel.

Vlerësimi i botës për Gjermaninë në këtë pandemi bazohet në disa faktorë:

Së pari, në nivelin e përgatitjes paraprake dhe të pajisjes së sistemit shëndetësor gjerman. Numri gjithsesi i lartë i shtretërve të kujdesit intensiv para epidemisë, 28.000 shtretër, u rrit aktualisht në 40.000. 30.000 nga këta shtretër kanë aparate respiratore.

Meqenëse 10.000 shtretër të kujdesit intensiv janë ende bosh, Gjermania i vë tani ato në dispozicion të pacientëve nga shtetet e tjera, duke ruajtur një rezervë prej 25-30 përqind.

Së dyti, faktor i rëndësishëm ndihmues në këtë krizë të virusit është numri i madh i spitaleve në Gjermani. 1400 spitale janë të shtrira në të gjithë Gjermaninë.

Në situatën e tanishme kjo rezultoi e favorshme për testime dhe kurime. Refuzimi i autoriteteve për ta përgjysmuar në 600 numrin e spitaleve, siç kishte propozuar Fondacioni Bertelsmann, për të rritur më tej cilësinë e shërbimit, tani rezultoi fatlum.

Së treti, suksesi i Gjermanisë në këtë krizë bazohet në strategjinë e testimit në masë të popullatës dhe në veçimin pastaj të të infektuarve nga grupmoshat në rrezik.

160.000 teste në javë kryheshin që në fillim të epidemisë në Gjermani, 350.000 teste në javë kryhen sot. Për çdo 100 mijë banorë, Gjermania teston mbi 2079 vetë. SHBA testojnë p.sh. 851 vetë.

Këto masa pasqyrohen edhe në numrin deri tani të ulët të të v’dekurve nga virusi në Gjermani: pak më shumë se 3000 vetë kanë ndërruar jetë – nga një numër i përgjithshëm prej rreth 134.000 të infektuarish. 81.000 vetë ndërkohë janë shëruar.

Jo së fundi, në këtë pandemi për çdo shtet luan rol edhe rastësia. Të infektuarit e parë në këtë pandemi në Gjermani ishin kryesisht të moshave më të reja, të cilat e përballojnë virusin më lehtë.

Izolimi i tyre pas testimeve nga grupmoshat më të mëdha, të rrezikuara më fort, e frenoi numrin e viktimave.

Parashikimet për daljen e vaksinës kundër virusit variojnë: më optimistet e shohin daljen e saj në vjeshtë, të tjerët pas një viti e gjysmë, aq sa nevojitet zakonisht për vaksinat.

Deri atëherë ne do të vazhdojmë të marrim pjesë në jetën e përditshme. Por me “mendimet e duhura” në mendje: duke ruajtur një distancë 1,5 metra nga të tjerët; me shmangie të aktiviteteve jo të domosdoshme publike; duke mbajtur maska mbrojtëse në dyqane dhe në transport publik, të cilat tani qeveria gjermane i rekomandon me këmbëngulje; dhe duke larë e dezinfektuar duart e sipërfaqet.

Situatën aktuale duhet ta pranojmë me ndërgjegje radikalisht, dhe të pranojmë si normale edhe pasigurinë.  Gjithsesi, njerëzimi është programuar për të mbijetuar – dëshmia jemi të gjithë ne.