Si ia arriti shteti me 97 milionë banorë që të shpëtojë pa asnjë viktimë të koronavirusit

Vietnami. Shteti me 97 milionë banorë nuk e ka regjistruar asnjë të v’dekur nga koronavirusi ndërsa deri më tani i ka vetëm 328 të infektuar, pavarësisht se kufizohet me epiqendrën e përhapjes fillestare – Kinën.

Rezultati bëhet më i çuditshëm kur merret parasysh fakti se Vietnami ka miliona vizitorë kinezë dhe popullsia e tij ka të ardhura të ulëta. Për më tepër, vendi nuk ka sistem shëndetësor të avancuar. Ai i ka vetëm tetë mjekë për 10 mijë banorë.

Pas një izolimi trejavor, Vietnami i largoi masat për distancim fizik në fund të prillit. Bizneset dhe shkollat janë rihapur dhe jeta gradualisht po i kthehet gjendjes normale, shkruan “CNN”.

Skeptikët mund të mendojnë se këta numra janë shumë të mirë për të qenë të vërtetë, por Guy Thwaites, infektolog që punon në njërin prej spitaleve kryesore për koronavirus në Vietnam, thotë se shifrat përputhen me realitetin në terren.