Si u mposht ”gripi spanjoll” në vitet 1918 – 1920, dhe çfarë i mësoi njerëzimit

Në vitin 1918, i ashtuquajturi “grip spanjoll” v’rau më shumë se 50 milionë njerëz nëpër Europë dhe SHBA.

Gripi nisi në janar dhe shkurt, në SHBA, kur shumë të sëmurë me dhimbje koke, probleme me frymëmarrje, kollë e temperaturë të lartë, nisën të gjejnë v’dekjen në mënyrë të shpejtë.

Pak muaj më pas, shumë pacientë në Francë, Gjermani e Belgjikë, mbushën spitalet pasi shfaqën simptoma të ngjashme. Ndërsa në maj, një festival fetar në Spanjë shkaktoi përhapjen në masë të sëmundjes misterioze.

Historia përsëritet.

Dy historiane spanjolle, motrat Laura dhe Maria Lara Martinez, kanë dy vite që studiojnë gripin spanjoll dhe kanë arritur të shohin ngjashmëritë me koronavirusin.

Në vitin 1918, thonë motrat, njerëzit thanë që ishte grip i thjeshtë. Megjithatë, ashtu si në vitin 2020, spitalet u tejmbushën nga pacientët dhe masat kufizuese ishin të ngjashme: mbyllje e teatrove, shkollave dhe kufijve.

Çdo gjë në hapësira publike, sidomos kabinat e telefonave, do të dezinfektoheshin. Njerëzit u këshilluan të bëjnë shumë kujdes me masat higjienike, dhe në SHBA, ata që kapeshin pa maskë në publik mund të dënoheshin me 100 dollarë gjobë (të barasvlefshme me 1700 dollarë sot).

Në vitin 1918, një peshkop në Madrid kërkoi që të mbahej një meshë e t’i luteshin zotit për largimin e pandemisë, dhe autoritetet nuk anuluan mbajtjen e festivalit “San Isidro”.

Vetëm një javë pas festivalit, përhapja u bë aq e rëndë sa gazetat nisën të shkruajnë se të gjithë ishin sëmurë. Incidenti bëri që dhe gripi të quhej “Gripi Spanjoll”, edhe pse kishte nisur në SHBA, në një bazë ushtarake në Kansas.

Dy motrat historiane thonë që mund ta ketë pasur origjinën edhe më herët se aq, në Kinë ose në Francë, në vitin 1917.

Nëna e gjithë pandemive.

Duke mos pasur asnjë vaksinë dhe asnjë shpresë për t’i bërë ballë, njerëzit po shpresonin që të vinte i ngrohti i verës për t’ia ulur fuqinë virusit. Por vala e dytë ishte më e rëndë se e para.

Në Spanjë kjo valë nisi në shtator dhe përkoi me festat e të korrave, si dhe me uljen e masave kufizuese. Në disa zona, madje, pati dhe një valë të tretë në vitin 1920, kur mendohet se ka qenë vërtet fundi i pandemisë. Dhe fundi erdhi sepse shoqëria nisi të krijojë imunitet, ndërsa virusi nuk u zhduk asnjëherë.

Kur mbaron pandemia?

Pandemia merr fund kur virusi nuk ngjitet më midis njerëzve dhe kur numri i të infektuarve është shumë i vogël.

Gjatë “gripit spanjoll”, mbarimi i pandemisë varej shumë nga niveli i informacionit që kishin njerëzit.

Por në fund, njerëzit nisën të mos shqetësohen më.

Euforia pas pandemisë.

“Popullsia që i mbijetoi këtyre katastrofave (lufta dhe gripi) u përfshi nga një eufori dhe zhvillim ekonomik”, thonë motrat Lara Martinez.

Por në këtë periudhë plot me optimizëm, regjimet totalitare nisën të shfaqen duke shfrytëzuar dëshirat për kontroll, individualizëm dhe autonomi.

“Njerëzit kanë kujtesë të shkurtër”, thotë historiani spanjoll Jaume Claret Miranda. “Megjithatë, ‘gripi spanjoll’ la një trashëgimi të madhe në shkencë dhe mes specialistëve, duke shtuar njohurinë për trajtimin e pandemive”.

Mësimi më i vyer nga e shkuara, thotë Claret, është se çdo masë që dukej e tepruar para pandemisë, pas saj dukej e pamjaftueshme.