Skenarët e mundshëm për t’u kthyer në normalitet

Skenari më i mirë është zhvillimi i një vaksine efektive, që do bënte të mundur imunizimin artificial, si rrjedhojë do të kishim një numër minimal infektimesh nga virusi.

Akademiku Arjan Durrësi është anëtar i Komisionit të Matematikës dhe Informatikës në Akademinë e Shkencave, i specializuar në besueshmërinë e sistemeve të Inteligjencës Artificiale në Indiana University Purdue University Indianapolis, ShBA.

Ai në intervistë për mediat shqiptare cek disa skenarë të mundshëm për t’u kthyer në normalitet.

Ai thotë se që virusi të shuhet, do të duhet që një pjesë e mirë e komunitetit, rreth 70% apo më shumë të infektohen, që komuniteti të krijojë imunitet.

Kjo shifër mund të arrihet si proces infektimi natyror, dhe ky është skenari më i keq i mundshëm, sepse një përqindje jetësh nuk do të mund të shpëtohen.

Por, edhe në këtë skenar më të keq, duke kontrolluar e shtrirë sa më shumë kurbën e infektimeve dhe të atyre që paraqiten në spital, së pari, krijohet mundësia që për çdo të sëmurë të mund të bëhet maksimumi nga ekipet mjekësore.

Sipas tij skenari më i mirë është zhvillimi i një vaksine efektive, që do bënte të mundur imunizimin artificial, si rrjedhojë do të kishim një numër minimal infektimesh nga virusi.

Në këtë luftë me visusin, vaksina do të ishte bomba jonë atomike. Fatkeqësisht, parashikimet më optimiste e vendosin mundësinë e vaksinës jo më shpejt se një vit.

Ka një garë e bashkëpunim të madh për gjetjen e një vaksine, shumë po testohen, e mbase, me ca fat, dikush mund ta zhvillojë më parë.

Si rrjedhojë, duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë dhe gjatë kësaj kohe të përdorim të gjitha armët e mundshme për të mbajtur kurbën e rasteve sa më të sheshtë, sepse kështu do të shpëtojmë sa më shumë jetë.

Dhe armët tona kryesore janë distanca, përdorimi i maskave. Njerëzimi është përballur me epidemi të shumta në mijëra vjet dhe armë si distancimi fizik dhe izolimi kanë qenë faktorët e fitoreve mbi këto epidemi.

Armë të tjera do të ishin edhe gjetja e medikamenteve që do të lehtësonin sëmundjen, sidomos, rastet e rënda. Edhe në këtë drejtim po punohet e eksperientohet shumë.

Ka dhe një skenar tjetër, më shumë si mrekulli, që virusi të ndryshojë natyrë e të bëhet më pak i rrezikshëm apo të shuhet fare.

Ky skenar do uruar, por nuk do llogaritur, siç nuk mund të llogaritet fitimi i lotarisë në lojërat e fatit.