Sonte kthehet Liga e Kampionëve me dy superndeshje

Dy muaj e një javë pas ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve, Liga e Kampionëve kthehet sonte me ndeshjet e para të fazës eliminatore, duke i sjellë dy superpërballje në shtëpitë e tifozëve të futbollit.

Sot në orën 21:00, tifozët e futbollit do ta kenë mundësinë të zgjedhin mes dy ndeshjeve interesante në fazën 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, pasi që Atletico Madridi e pret Liverpoolin, ndërsa Paris Saint-Germaini e viziton Borussia Dortmundin.

Atletico Madridi i Diego Simeones do të tentojë ta ndalë kampionin në fuqi të Evropës, Liverpoolin, përkundër që skuadra e Jurgen Kloppit ka qenë në formë shumë më mbresëlënëse gjatë këtij sezoni.

Pasi është eliminuar nga Liga e Kampionëve në këtë fazë në tre vjetët e fundit, Paris Saint-Germaini do të synojë ta dëshmojë se historia nuk do t’i përsëritet qysh sot në Gjermani.

Megjithatë, nuk do ta ketë të lehtë ta bëjë kundër një Dortmundi që i ka shënuar 23 gola në pesë ndeshjet e Ligës së Kampionëve gjatë këtij viti kalenderik.