Sot luhen dy derbi, në Superligën e Kosovës

Drita – Gjilani dhe Ballkani – Prishtina janë dy derbit e kësaj fundjave në mes të ekipeve që po luftojnë për titull të kampionit të Kosovës

Xhiroja e 31-të e IPKO Superligës së Kosovës në futboll do t’i sjellë dy derbi të mëdhenj të shtunën.

Pa dyshim, loja kryesore e fundjavës do të jetë ajo në mes të Dritës dhe Gjilanit, në derbin e madh të Anamoravës.

Drita prin në tabelë me katër pikë më shumë se rivali lokal, Gjilani.

Një fitore eventuale “Intelektualët” do t’i afronte edhe më shumë me titull të kampionit.

Në anën tjetër, për “Skifterat” tri pikët janë të domosdoshme për t’iu afruar Dritës në vetëm një pikë në tabelë.

Barazimi nuk do t’i kryente punë asnjërës skuadër. Kjo pasi Ballkani do të mundohet ta shfrytëzojë gabimin e skuadrave në derbin më të madh të Kosovës.

E në ndërkohë, therandasit duhet ta mposhtin Prishtinën, në ndeshjen tjetër derbi të kësaj xhiroje.

Ekipi Portokalli i ka vetëm tri pikë më pak se Drita momentalisht.

Prishtina nga ana e saj thuajse është dorëzuar në luftën për titull pasi ka mbetur shtatë pikë prapa liderit.

Sidoqoftë, kryeqytetasit matematikisht ende janë në garë për titull, tri xhiro pa përfunduar sezoni.

Ndeshjet tjera do të kenë rëndësi të madhe për mbijetesë. Dukagjini, Vushtrria e Ferizaj tashmë janë përshëndetur nga Superliga.

Ndërsa, tri ekipet tjera, Trepça ’89, Flamurtari e Drenica do të mundohen t’i fitojnë ndeshjet e fundit për t’ju shmangur vendit të katërt që çon në Ligën e Parë